
Shtetet e Bashkuara po përballen me presion nga aleatët për të vonuar tërheqjen nga Afganistani për të lejuar më shumë kohë për evakuimin e atyre që duan të largohen nga vendi, tani që drejtohet nga militantët talebanë.
Trupat amerikane që kontrollojnë aeroportin e Kabulit - i vetmi në vend që funksionon - kanë planifikuar të largohen më 31 gusht.
Sipas 'Reuters', Presidenti amerikan Joe Biden do të vendosë brenda 24 orëve të ardhshme nëse do të zgjasë afatin për tërheqjen.

Ndërkohë Biden do të takohet virtualisht sot me udhëheqësit e G7 për të diskutuar situatën në Afganistan, përfshirë ndihmën humanitare për refugjatët afganë.
Nga ana e tyre Talebanët kanë paralajmëruar pasoja nëse forcat e huaja mbeten pas afatit të dakorduar me SHBA.
Aktualisht 5,800 trupa amerikane janë në terren. SHBA ka evakuuar dhe lehtësuar evakuimin e rreth 48,000 njerëzve që kur filloi një transport ajror intensiv më 14 gusht, tha Shtëpia e Bardhë.
Shumë nga njerëzit që ikin, veçanërisht ata që punuan me forcat e huaja, jetojnë me frikën e hakmarrjes nga një grup që imponoi një version të ashpër të ligjit islam kur ishte në pushtet nga 1996 deri në 2001.



