
Në deklaratën e përbashkët në fund të samitit të Brdo Brijunit në Slloveni, liderët e vendeve pjesëmarrëse miratuan një Deklaratë që konfirmon angazhimin e tyre për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Samiti i mbajtur në Slloveni mblodhi vendet e Ballkanit Perëndimor, Kroacinë dhe Slloveninë.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se aftësia thithëse e BE është e mjaftueshme për të pranuar Ballkanin Perëndimor si anëtarë të rinj dhe se udhëheqësit mbështetin përshpejtimin e procesit të zgjerimit, duke përfshirë hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.
Udhëheqësit gjithashtu mirëpresin synimin e Sllovenisë për të mbajtur një Samit të BE-Ballkanit Perëndimor gjatë Presidencës së saj të Këshillit.
Procesi i miratimit të dokumentit, megjithatë, u ndesh me mosmarrëveshje.
“Kishte mosmarrëveshje të caktuara, keqkuptime. Le të themi se axhenda e Presidentit të Kosovës Osmani ishte disi më ambicioze dhe se për shkak të kundërshtimit të Serbisë, disa pjesë thjesht duhej të uleshin. Unë e shoh atë si një çmim plotësisht të pranueshëm të një dokumenti që është i mirë”, tha Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç i cili, së bashku me Presidentin Slloven Pahor, ishin nikoqir i takimit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçi, deklaroi se propozimi i Serbisë, në të cilin vendet do të mbështesnin parimin e mosndryshimit të kufijve "në përputhje me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara", nuk u pranua. Vuçiç tha javën e kaluar se ai kishte propozuar këtë ndryshim të Deklaratës, por që ai u refuzua për shkak të faktit se sipas këtij propozimi, Kosova do të konsiderohej si pjesë e Serbisë.
Për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje, kufijtë rajonalë u përmendën vetëm në kontekstin e rëndësisë së tyre në rënie në funksion të integrimit të ardhshëm në BE.
Përveç Presidentëve të Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës dhe Serbisë, samiti përfshiu homologët e tyre nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut - Ilir Meta dhe Stevo Pendarovski, si dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić.



