
Me 80 vota pro Kuvendi i Maqedonisë miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese, në një seancë që nisi me debate dhe probleme, teksa diskutimet vijonin që prej së hënës.
“Ky është moment historik, i falënderohemi çdo deputeti që morri guximin dhe tejkaloi interesat partiake, për të zgjedhur të ardhmen e vendit. Unë si kryeministër do të mbaj llogari për sigurinë tuaj dhe të familjeve të juaja. Udhëtimi jonë drejtë BE-së dhe NATO-së sapo ka filluar, na pret shumë punë që këtë rrugë ta bëjmë më të shkurtër. Na pret miratimi i amendamenteve. Duhet të fokusohemi në realizimin e reformave. Duhet ta vazhdojmë këtë që e filluam sot dhe kthim pas nuk ka. Jam i bindur që bashkë Maqedoninë do ta shpijmë drejtë një të ardhme më të mirë”, tha Zaev.
E në fakt, falenderimi I kryeministrit Zoran zaev shkonte më së shumti për deputetët opozitarë të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese, duke vendosur 4 kushte: Pranimi i amendamentit që garanton idenitetin maqedonas. Nëse Greqia nuk ratifikon marrëveshjen dhe pengon proceset eurointegruese, atëherë duhet të anulohen amendamentet e miratuara për ndryshimin e Kushtetutës. 3. Ndryshimi në faza i emrit dhe 4. Pranimin e nismës së kryeministrit Zoran Zaev për falje të personave për ngjarjet e 27 prillit dhe pajtim kombëtar, përmes formimit të një komisioni që do të hartojë plan në afat prej 30 ditëve.
Por as kushtet nuk kanë kënaqur VMRO-DPMNE, e cila përjashtoi nga grupi i saj 7 deputetët që dhanë votën pro.
"Dua të shpreh falënderim ndaj deputetëve që nuk u përkulën kundrejt kërcënimeve dhe shantazheve. Dita kur duhej të votohen këto ndryshime u shndërrua në gjah ndaj deputetëve. Deputetë që votuan pro ndryshimeve, unë si person nuk mund t’i arsyetoj, ata ndoshta kishin qëllimet e tyre, por unë nuk mund t’i arsyetoj”, vazhdoi kreu i qeverisë maqedonase.
Më tej, kryetari I VMRO-DPMNE I akuzoi 7 deputetët se tradhëtuan jo vetëm partinë, por edhe elektoratin. Megjithatë, miratimi I ndryshimeve kushtetuese ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët e konsideruan vendimin historic.
“Tani, qeveria dhe udhëheqësit politikë duhet të plotësojnë procedurat nacionale për zgjidhjen e emrit dhe të përdorin këtë mundësi historike për ta sjellë vendin në # NATO”, shkruante shefi i NATO-s Jens Stoltenberg në "Twitter". Po kështu Brukseli përmes eurokomisionerit për Zgjerim Johanes Hahn e cilësoi një ditë të madhe.
"Një ditë e madhe për demokracinë në Shkup, Unë i uroj të gjithë ata që vendosën të ecin drejtë rrugës së BE-së. Pres që të respektohet vendimi i lirë i të gjithë deputetëve, veçanërisht i atyre që kaluan rreshtin sonte.Kemi nevojë për qëndrime shtetërore, jo lojëra partiake”- shkruante edhe Hahn.
“Urime miku im Zoran Zaev ! Vota e sontme është një hap i madh drejt suksesit tonë të përbashkët. Një hap shumë i rëndësishëm drejt të ardhmes paqësore dhe prosperuese për qytetarët tanë”- ishte dhe mesazhi i kryeministrit grek Aleksis Tsipras në "Twitter", një mesazh që dëshmon se qeveria greke është e vendosur të vazhdojë atë që nisi ish-ministri i Jashtëm Nikos Kotzias.



