“E kam parë OFL si një legalizim të pasurisë së trafikantëve të cilët në të nesërmen SPAK do ti ketë duart e lidhura për ti hetuar sepse konsiderohet gjë e gjykuar”, tha mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV gazetarja Klodiana Lala duke e cilësuar këtë nismë si të dështuar.
Gjithashtu Lala shtoi se e ka quajtur të dështuar pasi policia nuk bëri transparencë me listat dhe se “Lulzim Berishës i është sekuestruar vetëm një automjet i blinduar vlera e të cilit ishte 20 mijë euro dhe të tjerat iu kthyen mbrapsht”.
Pjesë nga diskutimi:
Çani: Pyetja ime e thjeshtë është: Është bërë një propagandë për OFL, dilte ajo vajza me syze. Janë thashetheme apo të vërteta që nga 100 subjekte që ka kapur OFL 70% janë lënë të lirë në funksion të zgjedhjeve? Apo janë bllokuar që të pastrohen nëpër gjykata?
Lala: Unë personalisht ja kam thënë këtë ministrit të brendshëm dhe kryeministrit. E kam parë OFL si një legalizim të pasurisë së trafikantëve të cilët në të nesërmen SPAK do ti ketë duart e lidhura për ti hetuar sepse konsiderohet gjë e gjykuar. Në përballjet e mia kam qenë radikale dhe e kam konsideruar një nismë të dështuar dhe ajo që më ka shqetësuar është se policia nuk bëri transparente listat. Mua më ka koiçiduar kur ishte Lleshaj ministër ia kam drejtuar me emra se përse në lista nuk ishte emri i vëllait të ish ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj? Dihet botërisht që është person i dënuar dhe duke vuajtur dënimin në Itali dhe ai emër nuk erdhi kurrë në gjykatë. Pse në atë listë nuk erdhi emri i ish-ministrit Saimir Tahiri. Lulzim Berishës i është sekuestruar vetëm një automjet i blinduar vlera e të cilit ishte 20 mijë euro dhe të tjerat iu kthyen mbrapsht. Kjo është OFL, por ka pafund emra. A mund të përdoren këto për fushatë, nuk kam prova por kam dyshimet e mia.
Çani: E kapën njërin, e kapi OFL, kjo është e vërtetë, ai kishte shumë miliona kesh dhe e bukura është se pasi u bë pazari ai tregoi vendet ku kishte fshehur të tjerat, i kishte futur në tenxhere me presion sepse janë si vakum ato dhe nuk prishen paratë kur groposen. Këto nuk janë përralla. Është një perlë e paparë dhe ia lanë ato”, shtoi Çani.



