Për ekspertin e ekonomisë Elvin Meka, rritja e varësisë së Shqipërisë për importe të produkteve ushqimore vjen për shkak të nivelit të ulët të efikasitetit të produktit bujqësor.
Duke folur për “MCN Economy”, ai tha se bujqësia është lënë si një zhvillim spontan prej politikave të pamjaftueshme qeveritare.
Meka shtoi se qeveritë ndër vite kanë qenë më të interesuara për të vjelë ngarkesën fiskale nga importet.
Niveli i ulët i efikastitetit të produktit bujqësor bën që të krijojmë varësi. Popullatën e kemi në fshat por është 2-3 herë më e varfër se ajo në qytet. Përveç politikave të pamjaftueshme qeveritare, qeveritë ndër vite duket se kanë qenë më të interesuara për të vjelë ngarkesën fiskale nga importet, se sa të financosh dhe të presësh në përfshirjen fiskale të bujqësisë vendase që ka problematika të tjera.
Nuk ka dalë asnjë që të premtojë zgjidhjen e pronësisë mbi tokën. Bujqësia në Shqipëri nuk ka mundësi të ketë ekonomi shkalle, është ekonomi familjare, fermat janë minimale.
Niveli modest i kulturës së bashkëpunimit mes popullsisë në fshat dhe duke qenë e gjallë kooperativa, ne e shohim kooperativën si armike sa i takon bashkëpunimit në fushën bujqësore për të dhënë efikasitet.
Bujqësia është lënë si një zhvillim spontan, bëj çfarë të duash, riskun mbaje ti, pra nuk ka një program. Në programet elektorale të forcave politike, nuk gjej një model se si duhet zhvilluar bujqësia.
Çdo forcë politike, kap një segment të caktuar të zinxhirit të vlerës. Por vendet më të zhvilluara bujqësore, zhvillohen me zinxhir të integruar të vlerës. Duhet të kemi një qasje të qartë të zhvillimit të bujqësisë sipas zinxhirit të integruar të vlerës.



