
Anduena Llabani
MCN TV sjell pamje dhe detaje të reja lidhur me tentativën e grabitjes së bankës në bulevardin “Zogu I” në Tiranë. Në fotografi mund të shihni tunelin e thellë, në brendësi të së cilit mësohet se autorët hynin me anë të një shkalle.
Për të mos rënë në sy, autorët kanë punuar me jelekë fosforeshentë si ata të punonjësve të mirëmbajtjes, duke punuar qetësisht në gërmimet, të cilat kishin si synim ambientet e brendshme të bankës.
Po ashtu për të mos gabuar në punën e tyre, autorët mendohet të kenë pasur një hartë planimetrie, për të mbërritur brenda bankës.
Mendohet se ata kanë punuar për afro tre javë për të çarë tunelin. Megjithatë pavarësisht zbulimit të tij, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve.
Sakaq hetimet për tentativën e grabitjes janë në vijim, nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.



