Pas shpalljes në kërkim të njërit prej të dyshuarve kryesore të grabitjes brenda në pistën e Rinasit policia ka gjetur një sasi të parave të cilat dyshohet se janë ato të grabitura.
Në Elbasan në shtëpinë e njërit prej të afërmve të Aleks Pepës i shpallur në kërkim ndërkombëtar Policia ka gjetur rreth 50 mijë euro ndërsa hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për paratë e grabitura.
Dyshimet janë shtuar akoma më shumë pasi ato janë gjetur të fshehura brenda në frigorifer ndërsa janë dërguar për ekzaminime në laboratorin shkencor raporton vizion+.
Pak kohë më parë prokuroria lëshoi urdhërarrest për Pepën nga Elbasani si të dyshuarin kryesor të grabitjes së 30 qershorit në Rinasit ku pre e grabitjes ra sërish një eskortë e transportit të vlerave monetar.
Të paktën 3 persona të maskuar dhe të armatosur prenë rrethimin mbrojtjes te hyrjes kryesore për në pistën e avionëve dhe u futën brenda ku nënë kërcënimin e armëve morën paratë të cilat do të transportoheshin jashtë vendit.
Deri më tani operacioni është mbajtur sekret dhe drejtohet nga nëndrejtori i përgjithshëm i policisë Ardian Cipa.
Aktualisht, i kërkuar nga Interpoli është shtetasi Aleks Pepa nga Elbasanit. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, nën akuzën e të “grabitjes” dhe “krijimit të një grupi të strukturuar kriminal”.
Aleks Pepa, 42-vjeç, dyshohet si një nga autorët e grabitjes së mbi 1 milion eurove në ambientet e brendshme të aeroportit mesditën e 30 qershorit të vitit të shkuar.
Ka dyshime se 42 vjeçari ka luajtur rolin e shoferit gjatë grabitjes së paprecedentë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë. Dyshimet ndaj tij kanë lindur pas gjetjes së provave të ADN-së në paruken e gjetur në automjetin e djegur.



