
Perimet mund të jenë të mira për ju, por ngrënia e shumë prej tyre nuk ka gjasa të zvogëlojë rrezikun e një ataku në zemër ose goditje në tru, sugjeron një studim në Mbretërinë e Bashkuar.
Çfarë tjetër hamë, sa ushtrime bëjmë dhe ku dhe si jetojmë mund të ketë më shumë ndikim, thonë studiuesit.
Por ata theksojnë se një dietë e ekuilibruar ndihmon në uljen e rrezikut të shumë sëmundjeve, përfshirë disa lloje kanceri. Ngrënia e të paktën pesë porcioneve me fruta dhe perime çdo ditë rekomandohet nga këshilltarët shëndetësorë, përfshirë NHS.
Studimi, u kërkoi gati 400,000 njerëzve që po marrin pjesë në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar të plotësonin një pyetësor rreth dietës së tyre, duke përfshirë sasinë e perimeve të gatuara dhe të papërpunuara që hanin çdo ditë.

Mesatarisht, njerëzit thanë se hanin dy lugë gjelle të mbushura me perime të papërpunuara, tre perime të gatuara dhe pesë gjithsej në ditë. Shëndeti i tyre dhe çdo problem i zemrës që çoi në trajtim spitalor ose vdekje, u gjurmua më pas gjatë 12 viteve të ardhshme.
Megjithëse rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare ishte rreth 15% më i ulët për ata që hanin më shumë perime, veçanërisht ata që hanin shumë perime të papërpunuara, krahasuar me ata që hanin më pak, studiuesit thanë se kjo mund të shpjegohet me faktorë të tjerë.
Këto përfshinin stilin e jetës së njerëzve, për shembull, nëse pinin duhan dhe sa alkool pinin, si dhe punët e tyre, të ardhurat dhe dietën e përgjithshme. Si rezultat, ata thanë se studimi i tyre nuk gjeti prova të "një efekti mbrojtës të marrjes së perimeve" në atë se sa shpesh shfaqeshin problemet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.
Studimi, i botuar në Frontiers in Nutrition, thotë se njerëzit që hanë shumë perime të papërpunuara mund të kenë një rrezik të reduktuar të zemrës, sepse gatimi i perimeve heq lëndë ushqyese të rëndësishme, si vitamina C. Vajrat dhe yndyrat e përdorura në gatim mund të rrisin gjithashtu marrjen e natriumit dhe yndyrave, të cilat janë faktorë të njohur rreziku për problemet e zemrës.
Njerëzit që konsumojnë një dietë të pasur me perime mund të hanë më pak kalori dhe më pak yndyrë, ndërsa gjithashtu konsumojnë më shumë vitamina dhe antioksidantë, të cilët mund të parandalojnë dëmtimin e qelizave.



