Gazetari Genc Çobani duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që Franca ndodhet në një krizë shumë të thellë politike, pas dorëheqjes së kryeministrit 27 ditë pas emërimit. Çobani vë në dukje se lideri i ekstremit të majtë Mélenchon kërkon dorëheqjen dhe shkarkimin e Macron-it, ndërsa partia e Le Pen shpërndarje të Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Sipas Çobanit të gjitha gjasat janë që të shkohet në zgjedhje të reja.
“Nuk ka pse të fshihet, Franca ndodhet në një krizë shumë të thellë politike. 7 kryeministra në të gjithë mandatet e Macron-it, 5 në dy vite dhe 3 në vitet e fundit, s’lënë shumë vend për diskutime, nëse jemi në krizë apo jo. Nuk kish si mos të ndikonte në ekonomi. Sot u dha njoftimi që u konsiderua katastrofik për ekonominë, bursa e Parisit ishte në rënie të lirë me 1,5 për qind dhe bankat kanë humbur 4-5 për qind. Është arritur deri aty sa të kërkohet ose dorëheqja ose shkarkimi i Macron-it nga ekstremi i majtë.
Është me të vërtet një dështim i Macron-it, zgjedhjet e tij të gabuara, që asnjëherë s’ka pranuar një bashkëjetesë, të zgjedhë një kryeministër nga krahu i majtë. Kemi fuqizim të ekstremeve në Francë, ekstremi i djathtë dhe i majtë. E gjitha kjo ose detyrojë Macron-in të pranojë bashkëjetesën me një kryeministër nga opozita, ose kriza do thellohet edhe më shumë, që mund të çojë deri në zgjedhje të reja. S’bëhet fjalë për dorëheqje aktualisht të Macron-it, apo shkarkim të tij, edhe pse kjo po kërkohet nga Jean-Luc Mélenchon. Nëse Macron s’do pranojë të emërojë një kryeministër, kriza do të thellohet.
Është momenti që ai të pranojë një kryeministër nga opozita, ose nga Partia e Le Pen, ose nga ekstremi i majtë. Mélenchon kërkon deri shkarkimin e Macron-it. Kemi edhe qëndrimin një shkallë më poshtë të Frontit Nacional, shpërndarje të Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Të gjitha gjasat janë që të shkohet në zgjedhje të reja. Është një dështim personal i Macron, pasi ka këmbëngulur të kishte një kryeministër nga pakica parlamentare”.



