Shqipëria është ftuar të marrë pjesë si anëtare themeluese në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka ftuar personalisht që të përfaqësojë Shqipërinë në këtë Bord Ndërkombëtar të Paqes, duke e cilësuar këtë ftesë si një moment krenarie për vendin.
Sipas deklaratës publike, kjo ftesë shihet si një hap i rëndësishëm për rritjen e profilit të vendit në arenën ndërkombëtare dhe si dëshmi e forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi formimin e një “Bordi të Paqes” për Rripin e Gazës.
Pjesë e Bordit do të jenë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, miliarderi Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.



