Kryeministri Rama thotë se kokat e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, por korporatat e gjyqtarëve. Duke folur në konferencën e nivelit të lartë kundër korrupsionit, Rama përsëriti se është sistemi ai që duhet të pastrohet, në mënyrë që të bëhet i pamundur korruptimi i individëve.
“Është sistemi që korrupton individët, jo e kundërta. Lufta kundër korrupsionit për të ndërtuar sisteme që e përballojnë ka nisur para reformës në drejtësi më parë ka qenë luftë partizane si ajo kundër mullinjve të erës. Fillimi i reformës në drejtësi dhe vazhdimi i saj janë baza për një shtet modern. Kjo është një luftë e gjatë. Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, por koorporatat e gjyqtarëve. Nëse nuk vendoset në themel të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar, ngrehina nuk do të qëndrojë. Sot kam një zhgënjim se nga njëra anë nuk e kanë kuptuar deri në fund se vetingu pastron sistemin. Nuk bën gjykimin penal të atyre. Këtë duhet ta bëjë sistemi i pastruar nga vetingu. Dhe për këtë është SPAK dhe BKH”, tha ai.
Rama tha se falë mbështetjes së SHBA dhe BE, reforma në drejtësi është në progres e sipër. Ai shtoi se ndërkohë, krahasuar me disa vite më parë, është eliminuar korrupsioni në punësimet në shtet.
“Pa BE dhe ShBA nuk do të kishim bërë kurrë progres. Nuk do merrnim miratimin e Parlamentit. U desh ndërhyrja e SHBA. Ka një luftë tjetër kundër korrupsionit e cila zë pak vend në konsideratën e përgjithshme. Si mund të bëhet krahasimi mes sot dhe dje në raportin me korrupsionin kur njerëzit kërkojnë atë që u takon sipas meritës. Dje nuk bëheshe dot mësues sipas meritës në sensin që të merrje një vend në sistem me aftësitë e tua. Duhej që ose të mbështeste partia në pushtet, ose të paguaje ose të kishe ato lidhje farefisnore. Sot që të bëhesh mësues thjesht duhet të konkurrosh në një platformë digjitale. Deri dje nuk bëheshë dot infermier pa patur ato të treja. Sot infermierët hynë në sistem me platformë digjitale", tha Rama.



