Në Austri ekziston një fshat i vogël me më pak se 1.500 banorë, por muajin e fundit u vërtetua se është një vatër e virusit Covid-19, ai quhet Ischgl dhe ndodhet në zonën e Tirolit.
Mijëra turistë, që shkojnë aty nga gjysma e Europës, duke filluar nga Suedia në Gjermani dhe nga Islanda në Danimarkë, rezulton se janë infektuar me koronavirus atje dhe më pas, duke e çuar në vendet e tyre të origjinës.
Kësisoj, njëri pas tjetrit, shumë vende europiane kanë nisur t’a shpallin Tirolin zonë të kuqe dhe kanë ndaluar në mënyrë kategorike qytetarët e tyre të shkojnë me pushime në rajonin e famshëm austriak.
Një vendim i tillë është kundërshtuar me forcë nga autoritetet lokale të krahinës së Tirolit, pasi nuk dëshironin që sezoni i skive të përfundonte kaq shpejtë.
Megjithatë, pavarësisht përpëlitjeve, Austria u detyrua të pranonte se fshati Ischgl është një vatër e vërtetë infeksioni.
Nga ana tjetër, numrat janë të qartë. Në Norvegji, më 7 mars, 491 persona nga 1.198 që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, kishin qenë për ski në Tirol gjatë mesit të muajit shkurt.
Në Danimarkë, një e treta e të infektuarve kishte qenë me pushime në Tirol.
Në Suedi, një e gjashta. Gjermani, në qytetin e Hamburgut 100 persona janë shpallur pozitiv me koronavirus, por që kishin qenë me pushime dimërore në Tirol.
Përveç kësaj panorame, raportohet se janë me mijëra persona që kanë rezultuar të prekur nga virusi dhe që kanë qenë me pushime dimërore në Tirol.
Ndërkohë, në mesin e një vorbulle paqërtësie, Austria ishte një ndër vendet e para europiane që njoftoi mbylljen e njëanshme të kufijve të saj jugorë, përfshirë ato me Italinë në Brenner.
Rasti i parë i konfirmuar zyrtarisht me koronavirus, një gjerman 36-vjeçar që punonte si barist në një lokal të njohur në Ischgl, i ka detyruar autoritetet austriake të hapin sytë. Ata e mbyllën lokalin pas tre ditësh, më datë 10 mars.
Sidoqoftë, pjesa tjetër e fshatit e vazhdoi aktivitetin deri më datë 14 mars, kur qeveria apeloi se kushdo që ka qenë në Tirol që nga 28 shkurti, duhet të karantinohet.
Në ato ditë, në Ischgl ndodhi diçka vërtetë e çuditshme, e parë në disa qytete europiane, një eksod i vërtetë masiv dhe një garë e pazakontë e turistëve të huaj për të zënë vendet e fundit në autobusët që largoheshin plot çdo ditë nga Tiroli.
Të gjithë ata që arritën të largoheshin, padyshim i shpëtuan testeve. Por krijuan këtë gjëndje në vendet e tyre, duke e marrë virusin nga një fshat i vogël austriak për t’a shpërndarë në pjesën më të madhe të Europës.
Vetëm këto ditë Ischgl ka qenë plotësisht i izoluar, si brenda dhe jashtë. Por ndoshta është tepër vonë, pasi nga 1.500 banorët e tij, 400 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Në përqindje, kjo do ishte një shifër mbresëlënëse./politiko.eu/



