
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në zonën e Qafës së Llogarasë, ku një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët në rrugën që të çon drejt antenave.
Brenda mjetit është gjetur trupi i pajetë dhe i djegur i Artjon Xhelos, 28 vjeç, ish-efektiv i Policisë së Shtetit.
Korrespondentja Arjola Hasanaj ka bërë të ditur për “MCN Live” se autoritetet po hetojnë pistën e vetëvrasjes, pasi i riu dyshohet se vuante nga depresioni.
Në reagimin e saj zyrtar, Policia e Vlorës konfirmoi ngjarjen e rëndë dhe bëri me dije se grupi hetimor ndodhet në terren, ku po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të incidentit.
Blutë e Vlorës bëjnë me dije se mesditën e djeshme, 28-vjeçari ka dalë nga banesa e tij pa i bërë me dije familjes destinacionin dhe nuk është kthyer më.
Për policinë, familjarët kanë thënë se i riu prej tre vitesh vuante nga ankthi dhe depresioni, për të cilat merrte trajtim mjekësor.
Trupi i djegur i të riut Artjon Xhelo është dërguar në morgun e Spitalit të Vlorës ndërsa pritet përgjigja e analizave biologjike për të zbuluar të tjera detaje.
Nga këqyrja paraprake e automjetit dhe e trupit të pajetë nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune apo dëmtime të shkaktuara nga faktorë të jashtëm, përveç atyre të shkaktuara nga zjarri.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë, ku për identifikimin përfundimtar pritet përgjigjja e analizave biologjike (ADN).
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, dyshohet se kemi të bëjmë me një rast vetëvrasjeje, ndërsa, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes.



