Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, idenë e hedhur nga Kryeministri Edi Rama në Holandë për bashkëpunim dypalësh për idenë franceze të komunitetin politik, tha se një ide e tillë nuk përfaqëson asgjë të veçantë për Shqipërinë, por se është iniciativë e Presidentit francez për të zbutur efektet negative në rrugën e integrimit europian.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Milo deklaroi se për sa kohë që nuk kanë mundësi për integrim të plotë për vende si Shqipëria, është gjetur kjo mënyrë organizimi europian për t’i mbajtur këto vende afër dhe për tu konsultuar me to për çështje të karakterit politik dhe sigurisë europiane për çështje të veçanta.
Nuk zëvendëson BE, por është iniciativë për ta mbajtur procesin e integrimit në dy nivele, në një nivel të përafërt ose afër BE, dhe për ta mbajtur anëtarësinë e BE tani për tani në atë numër që është.
Se është konkluduar se zgjerimi i mëtejshëm përballë vështirësive që ka sot BE, është e pamundur që të bëhet.
I pyetur nëse është një mundësi për të propaganduar më shumë “Open Balkan”, ai tha se historia e Open Balkan ka hyrë në mes të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, ka një qasje që në përpjekje për të gjetur instrumente të tjerë integrues rajonalë dhe se bëhen përpjekje qoftë edhe për të zëvendësuar përkohësisht procesin e integrimit.
Parimet e ‘Open Balkan’ janë të mira, por garanci për suksesin e kësaj nisme, nuk mund të ketë. E para sepse duhet të përfshihen gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të ketë rezultate konkrete të prekshme, që njerëzit besojnë se kjo është rruga e suksesshme.
Deri tani nuk ka rezultate të prekshme, bindëse konkrete. Ka nisma, por në mendimin tim duhet që kjo nismë si shumë nisma të tjera rajonale të jetë gjithëpërfshirëse. Kosova është vendi që heziton më shumë.
Një deklaratë e fundit e Kryeministri Kurti është se ai vazhdon të qëndrojë në pikëpamjen e vetë për procesin e Berlinit, duke përjashtuar ‘Open Balkan’.
Duhet gjetur një rrugë për të harmonizuar Procesin e Berlinit dhe ‘Open Balkan’, duke e parë si nismë që nuk e përjashton procesin e Berlinit, por është komplementar i procesit të Berlinit.
Pyetjes se Edi Rama e prezanton si një rol të ri të Shqipërisë, duke konsideruar edhe pozicionin tonë në Këshillin e Sigurimit, Milo tha se roli i Shqipërisë nuk matet nga madhësia gjeografike dhe nga numri i popullsisë.
Me këta dy tregues Shqipëria është e humbur në kuptimin e ndikimit, por Shqipëria është një lojtar gjeopolitik rajon. Shqipëria nuk mund të pretendojë të luajë një rol më të madh, nuk mund të bëjë më shumë se kaq.
Jo se nuk ka kapacitete intelektuale, ose jo se nuk ka ide. Por idetë në botën kontemporane shkojnë paralel dhe kanë influencë me fuqinë e të gjitha llojeve, me fuqinë ekonomike.
Që të dëgjohet zëri duhet të jesh dikush, i fortë nga pikëpamja, ekonomike ushtarake. Fuqia përcakton edhe shkallën e dëgjimit të zërit, ideve, pikëpamjeve, por edhe përmes imponimit.
Një vend i vogël gjithnjë është i dënuar, të solidarizohet, të shkojë dhe mbështesë nismat e drejta të fuqive të mëdha. Por nuk mund të bëjë më shumë. Duhet të jemi realist.
Nëse shkëputesh nga realiteti dhe ëndërron për të marrë më shumë mbi supet e vogla të një shteti nuk i mban dot dhe ka rreziqe të tjera.



