Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Neighbourhood”, ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për pesë vjedhje në banesa.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i I. B., 35 vjeç dhe M. H., 32 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Dy të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se gjatë ditës së djeshme kanë vjedhur sende të ndryshme në dy banesa, në lagjen “Osman Haxhiu”.
Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas janë autorë të dyshuar edhe të 3 vjedhjeve të tjera në banesa, po në lagjen “Osman Haxhiu”, konkretisht:
-Më datë 23.08.2022, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë vjedhur sende, në dy banesa të ndryshme;
- Më datë 24.08.2022, në lagjen “Osman Haxhiu”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në një banesë.
Aktualisht vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



