Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen penale në ngarkim të 33 të pandehurve që sipas saj kanë kryer krime në kuadër të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Çopja.
SPAK thotë se provat qe zbuluan krimet e kësaj organizate janë zbërthyer nga Sky Ecc, ndërkohw është evidentuar dhe dokumentuar ekzistenca e një organizate kriminale, e njohur si “Çopja”.
Grupi është përfshirë në vrasje me pagesë dhe tentativa për eliminimin e kundërshtarëve.
Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës, korrupsion të funksionarëve të sistemit të drejtësisë dhe punonjësve të policisë, rekrutimin e punonjësve të policisë të Drejtorive Vendore, Durrës dhe Elbasan me qëllimin marrjen e informacionit dhe mbështetje operative dhe pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve në sektorin imobiliar dhe bizneseve të tjera në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Talo Çela që sipas SPAK ka qenë krahu i armatosur i organizatës, ndërkohë Mikael Qosja alias Kamami, (Stefa), (Stefo), i njohur ndryshe edhe si Kel Kamami , Organizator i vrasjeve. Organizata sipas SPAK ka marr pjesë në 33 krime faktet e të cilave janë vërtetuar përmes mesazheve të Sky Ecc dhe provave të tjera. Në dosje e prokurorisë thuhet se vëllezërit Çopja e kanë nisur veprimtarinë e saj fillimisht me trafik droge në sasi të vogla dhe më pas është shndërruar në organizatë të mirëfilltë.
Organizata kriminale “Çopja”, përmes lidhjeve të saj arriti të korruptojë gjyqtarë për të krijuar aksese, me qëllim mbylljen e çështjeve në ngarkim të tyre ose rëndimin e pozitës së kundërshtarëve duke iu referuar këtu Pajtime Fetahu e cila në vitin 2020 ka qenë me detyrë Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan, Denada Tode, me detyrë sekretare gjyqësore, si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.
SPAK thotë se organizata një pjesë të të ardhurave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës e ka investuar në Shqipëri, kryesisht në sektorin imobiliar (përmes blerjes së pasurive të paluajtshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Kësaj organizate thotë SPAK i janë sekuestruar më shumë se 40 prona të paluajtshme, gjithashtu llogari bankare në monedha të ndryshme në disa banka të nivelit të dytë.



