Gledis Gjipali, ekspert i çështjeve të integrimit, tha në MCN Live që po qarkullon ideja e zgjerimit të BE duke u kufizuar të drejtën e vetos, por theksoi që s’ka ende një propozim politik mbi këtë gjë. Gjipali theksoi se kufizimi i vetos deri në një moment të dytë është një element që mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Është Samiti i radhës i Procesit të Berlinit. S’e ka atë rëndësinë që ka pasur në fillimet e tij, kur nisi si alternativë e vëmendjes politike ndaj Ballkanit Perëndimor, pasi BE e kishte të qartë në atë kohë që s’do kishte zgjerim në 5 vitet e ardhshme. Dialogu ka funksionuar në nivel politik, ndërkohë që sa i takon pjesës së projekteve ka patur më pas sukses, dhe s’kanë patur impakt shumë të rëndësishëm në krahasim me instrumentet e tjera me të cilat BE po operon. Nuk kemi parë deklarata në nivel politik, por më shumë është një diskutim në nivel mediatik, që shkakton reagime të ndryshme, në varësi të temave që trajtohen.
Ka pasur një shkrim nga Politico, ku është shprehur që po qarkullon ideja që zgjerimi i ardhshëm, që vendet e reja të mund të hyjnë duke hequr dorë nga e drejta e vetos, derisa të rregullohet çështja e vetos. Bëhet fjalë për kufizimin e vetos deri në një moment të dytë. Është një element që mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit, sepse një nga kritikat kryesore të zgjerimit është që vet BE s’është i reformuar mjaftueshëm për të pranuar vende të tjera. Nëse hiqet nga ekuacioni ky element e bën më të mundur anëtarësimin. Por s’ka ende propozim politik për këtë gjë, por ka një artikull. Është strategji politike e Ramës dhe në vijimësi të qëndrimeve që Shqipëria ka mbajtur, përputhje 100 për qind me politikën europiane”.



