Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron preventive të vilës në Dhërmi, në pronësi të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Igli Tare.
Tare i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit duke kërkuar heqjen e masës së sigurimit pasuror ndaj vilës së regjistruar në emrin e tij në zonën e Dhërmiut.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, shqyrtoi ankimin kundër vendimit nr. 412, datë 03.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që kishte caktuar masën e sigurimit pasuror "sekuestro preventive" për pasurinë e paluajtshme.
Në vendimin e shpallur këtë të hënë, më 30 qershor 2026, Apeli vendosi miratimin e vendimit të shkallës së parë, duke lënë në fuqi sekuestron preventive për vilën në Dhërmi.



