Përpara se NATO-ja të vendoste ndërhyrjen ushtarake në Kosovë karshi gjenocidit ushtarak që vazhdonte të bënte Serbia e drejtuar nga Millosheviçi, atasheu ushtarak i Maqedonisë në Republikën e Turqisë, kolonel Ivanov ishte në një veprimtari intensive diplomatike e mediatike kundër luftës çlirimtare që kishte nisur UÇK-ja.
Aq shumë ishte evidentuar saqë disa kolegë të mitë, përfaqësues ushtarakë të vendeve të ndryshme, ma shprehnin hapur në konfidencë. Shpërndante materiale të ndryshme që i dërgoheshin zyrtarisht nga qeveria e tij, ku argumentoheshin veprimtaritë e "organizatës terroriste " të UÇK-së dhe se Beogradit i dilte e drejta që këtë organizatë ta shkatërronte me rrugë dhe mjete ushtarake.
Për këtë arsye, një ditë kolegun tim maqedonas e ftova për një kafe pune dhe gjatë bisedës trajtuam këto qëndrime të shtetit të tij. Natyrisht pa e vendosur në pozita shumë të vështira, e pyeta se 'përse qeveria maqedonase është po aq agresive kundër Kosovës sa edhe Beogradi". Zoti kolonel mu përgjigj: "A e kuptoni juve se një çlirim dhe pavarësim i Kosovës do të thotë shpërbërje e shtetit të Maqedonisë. Atë që kërkojnë sot kosovarët nëpërmjet UÇK-së, nëse do ta kërkojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë..." Natyrisht që marrëdhëniet midis diplomatëve kërkojnë komunikim tepër të kujdesshëm dhe vazhdimësinë e pandërprerë të kontakteve. U ndamë "miqësisht" dhe natyrisht që informova me një herë me shkrim ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm.
Kështu që deklarata e presidentit të Maqedonisë, Ivanov, dje në Shkup për mospranimin e platformës shqiptare në qeverinë e re që pritej të krijohej nuk më alarmoi shumë. Ky është një akt diskriminues etnik, i cili nuk i kontribuon harmonisë shtetformuese etnike në Maqedoni dhe që nuk krijon siguri dhe stabilitet në këtë vend. Nacionalizmi i politikanëve maqedonas shpesh është më i keq dhe më i ashpër se ai i Beogradit. Prandaj vazhdimi i mbështetjes së partive politike shqiptare në Maqedoni për forcimin e unitetit dhe bashkëveprimit të tyre për të zënë vendin që u takon në këtë shtet është një nga detyrat kryesore të të gjithë politikës së kombit shqiptar.
Hajro Limaj - ish atashe ushtarak në Republikën e Turqisë Ministër Këshilltar (grada diplomatike)



