
Sot në të gjithë botën festohet dita botërore e emoji, fytyrat me ngjyra që bashkë me tastierën virtuale i japin më shumë ngjyra mesazheve në chat. Termi ‘emoji’ vjen nga japonishtja dhe do të thotë piktogram, domethënë një vizatim apo një simbol në një a më shumë ngjyra, menjëherë i dallueshëm. Fytyra e parë u krijua mes viteve 1998- 1999 nga Shigetaka Kurita, i cili punonte për pajisjet mobile të shoqërisë së telekomunikacioneve NTT DoCoMo. Më pas mbërritën në Perëndim dhe u përfshinë në sistemin e kodifikimit Unicode. Sot numërohen më shumë se 2800 emoji dhe nuk ka tastierë, kompjuter apo sistem operativ, nga iOS i Apple tek Android i Google që të mos ketë emoji-t e veta. Madje emoji është zgjedhur fjala e vitit në 2015-n nga fjalorët e Oksfordit. Popullaritetin e emoji-t e konfirmon Facebook. Nga gjithë emoji-t ekzistuese, thuajse 2300 përdoren në rrjetin social, më shumë se 700 milionë përdoren në publikime çdo ditë. Zemra është përdorur dy herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në chat-in e Facebook, Messenger, dërgohen më shumë se 900 milionë emoji pa tekst çdo ditë. Në gjithë botën, Viti i Ri, është dita kur përdoren më shumë emoji në Messenger. Emoji më i përdorur është fytyra që qesh me lot e cila mban vendin e parë në renditje ndërsa fytyra me sytë me zemra të kuqe mban vendin e tretë. Data 17 korrik si dita botërore e emoji është vendosur sepse gjigandët e teknologjisë si Google, Apple, Samsung etj kanë zgjedhur që në tastierat e tyre emoji i kalendarit të ketë datën 17.



