Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri Edi Rama tha se votat në Kuvend për ta miratuar nuk mungojnë, por se janë të duruar për të zgjedhur një President të paanshëm.
Rama tha qeveria i ka lënë të gjitha hapësirën e nevojshme Partisë Demokratike, por se këta të fundit nuk kanë paraqitur një kandidat.
Kreu i qeverisë shpjegoi dhe karakteristikat që duhet të ketë figura presidenciale duke u shprehur se kërkojnë që t’i kthejnë atij institucioni dinjitetin.
“Sot ishte një tjetër shprehje, ne sikundër e kemi thënë më parë, për t’i dhënë të gjithë hapësirën brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike të PD, dhe atyre që bashkë me të që janë , nuk paraqitën një kandidat se duam të krijojmë mundësinë që të gjejmë me atë pjesë që na mungon në parlament një konsensus për një figurë presidenciale.
Unë jam i duruar se besoj te durimi kur është kufiri i durimit, përsa i përket Presidentin duam t’i kthejmë atij institucioni dinjitetin, figurë që të ngrihet mbi palët, dhe të ketë paanshmëri, dhe jo figurë të anshme si kjo që kemi. Ne do presim, më mirë një President i duhur e i pranuar nga sa më shumë. Ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si motiv për të qenë arrogant, por për të qenë të duruar”, tha Rama.
I pyetur nëse është i gatshëm t’ia ofrojë Presidentin opozitës, Rama tha se nuk ka asnjë kufi të paravendosur por se Presidenti i ri duhet të jetë dinjitoz.
“Bota opozitare është një koncept që po zgjerohet. Opozita e parlamentit të ri do jetë më sfiduese, se sa kjo opozitë. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Duam ti japim Shqipërisë një president dinjitoz që të qëndrojë sa më mbi palët aq sa e bën Shqipëria të mundur, nuk po e presim të vijë nga maternitetit. Ama të jetë një President që të ketë autoritetin që t’u bëjë një telefon të gjithëve për të zgjidhur një situatë”, deklaroi kryeministri.
Rama deklaroi para gazetarëve se Presidentin e duam për vendin jo për veten se po ta donim për vete do ishit duke e intervistuar.



