Eksperti i Ekonomisë, Prof. Arben Malaj këshillon një sistem neutral taksash, rishikim tatimit mbi të ardhurat personale dhe një model të mirëmenduar drejt rikthimit te taksa e sheshtë. Në një intervistë për TemA TV, Malaj argumenton se qeveria duhet të bëjë një moratorium, për të mos e ndryshuar sistemin fiskal për një afat të caktuar.
Përshkallëzimi i varfërisë në Shqipëri, i raportuar nga Banka Botërore si rrjedhojë e taksimit progresiv, në komentin e Prof. Arben Malaj duhet parandaluar përmes një sistemi neutral taksash dhe politika jopenalizuese. Malaj mbështet taksën e sheshtë, jo në retrospektivë, por me një alternativë të re.
“Taksa e sheshtë është alternativë për mua në qoftë se ne do të bëjmë një konsensus se nuk do flasim kush bën taksën më të ulët në rajon. Po themi për shembull, që në Shqipëri niveli më mirë i taksës në Shqipëri është 20 për qind dhe në çdo 3 vjet ne kemi një rezultat më të mirë të mbledhjes së të ardhurave për shkak të taksës së sheshtë, ne e ndajmë atë më pas në 3 nivele; për të rritur investimet publike, për të ulur taksat dhe elementi tjetër për politika që kanë të bëjnë me punësimin dhe zhivillimin”.
Sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, Malaj thotë se në aplikimin aktual, ka larguar ekspertët e kompanive.
“Lufta kundër varfërisë nuk mund të favorizohet me një instrument të vetëm, aq më tepër në krahun e të ardhurave. Ajo që unë kam ndjerë nga biznesi, është fakti që sistemi tatimor i pëdorur në vendin tonë i ka dëmtuar kompanitë, sidomos në aspektin e largimit të ekspertëve të tyre. Pra, meqenëse tatimi progresiv është relativisht i ulët krahasuar me vendet e tjera, (kjo duhet parë në raport me të ardhurat për frymë), shumë nga kompanitë të huaja apo vendase ne ekonominë shqiptare, e kanë të vështirë të sjellin ekspertë të mirë për shkak të këtij sistemi”.
Ish-ministri i Financave, gjykon se vendi ka nevojë për moratorium në sistemin fiskal, të qendruëshëm dhe pa politika penalizuese.
“Vendi ynë ka nevojë që të bëjë një moratorium të ndryshimit të taksave. Të gjithë bizneset dhe individët janë të shqetësuar për ndryshueshmërinë e shpejtë të taksave dhe rregullat e mbledhjes së tyre. Së dyti, në teoritë moderne të menaxhimit fiskal, adminstirimi fiskal vlerësohet në efektin e tij, njësoj sikur është vendosur një taksë e re, çka do të thotë se, në qoftë se ne, me politika jopenalizuese, por me politika lehtësuese, përfshijmë në zhvillimin tonë ekonomik një pjesë të madhe të ekonomisë informale, patjetër që do të kemi edhe më shumë burime”.
Studimi i fundit i Bankës Botërore thekson se taksat taksat direkte dhe indirekte kanë përshkallëzuar varfërinë te njerëzit e varfër me 29 për qind.
Intervista e plotë e Arben Malaj
* * *
Raporti i BB, reagon PD: Të rikthehet taksa e sheshtë
Deputetja Jorida Tabaku: Taksa progresive varfëroi shqiptarët, e sheshta, do të rrisë konsumin
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkon që të rikthehet taksa e sheshtë. Referuar raportit të Bankës Botërore mbi ndikimin e sistemit fiskal, Tabaku është shprehur se taksa progresive ka varfëruar shqiptarët.
Duke u mbështetur në raportin e fundit të bankës botërore, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka deklaruar se taksa progresive ka rritur varfërinë në Shqipëri. Ajo akuzon qeverinë se taksat e mbledhura nga qytetarët nuk i ka kthyer në investime por në përfitime për një grup njerëzish të afërm me qeverinë.
Tabaku kërkoi që të rikthehet taksa e sheshtë. Sipas Tabakut, për shkak të rritjes së taksave Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe se është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike.



