
Rusia i është përgjigjur me përçmim dhe sarkazëm ultimatumit britanik në lidhje me rastin “Skripal” dhe në këto kushte, shpjegimi i vetëm është se “shteti rus është fajtor”. Në këtë mënyrë, Theresa May ka njoftuar dëbimin e 23 diplomatëve rusë për rastin Skripal, numri i dytë më i madh i dëbimeve në historinë e Britanisë. Diplomatëve rusë u është lënë një javë kohë për t’u larguar nga Britania. May e bëri këtë njoftim gjatë fjalimit të saj në Dhomën e Ulët të Parlamentit.
Kryeministrja britanike tha se ka revokuar çdo ftesë ose vizitë të mundshme të ministrit të Jashtëm rus, Serghei Lavrov, për shkak të çështjes “Skripal”.
Po ashtu, ajo ka njoftuar se nuk do të ketë delegacione zyrtare dhe as përfaqësues të familjes mbretërore në Botërorin e futbollit Rusia 2018.
Këshilli i Sigurisë në OKB do të mbajë sot në orën 15:00 një mbledhje në lidhje me atentatin ndaj ish-agjentit rus Sergheri Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, Britani, më 4 mars. Mbledhja është thirrur nga Britania e Madhe.
“Sulmi brutal me agjent nervor është frymëzuar me shumë gjasa nga Msoka. Ai do të jetë në axhendën e samitit të BE-së javën e ardhshme”. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet “Tuiterit” presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili shprehu solidaritet me kryeministren britanike në lidhje me këtë çështje. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



