Rreth 300 mijë ushtarë shtesë i duhen Europës në rast të një konflikti me Rusinë, nëse nuk ka ndihmën e SHBA-ve. Në një situatë të tillë, Europës do t’i duheshin investime të konsiderueshme në fushën e mbrojtjes.

Sipas një analize të institutit kërkimor të Brukselit Bruegel dhe Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, të cilit i referohet DW, këto investime do të shkonin në rreth 250 miliardë euro në vit.

Autorët e studimit përllogarisin se shtetet evropiane do të duhet të krijojnë rreth 50 brigada shtesë me një numër të përgjithshëm prej 300 000 ushtarësh. Po ashtu të nevojshme janë edhe të paktën 1 400 tanke të reja si dhe 2.000 automjete luftarake për këmbësorinë, shifër që i tejkalon rezervat aktuale të të gjitha forcave tokësore gjermane, franceze, italiane dhe britanike.

Studiuesit propozojnë që shpenzimet evropiane për mbrojtjen duhet të rriten çdo vit nga aktualisht dy për qind në 3.5 deri katër për qind të prodhimit ekonomik. Për Gjermaninë, si ekonomia më e madhe e Evropës, kjo do të nënkuptonte rritje të shpenzimeve për mbrojtjen kombëtare nga 80 në deri në 140 miliardë euro.