Në një kohë kur sulmet izraelite në Gaza janë intensifikuar, shënjestër e tyre janë bërë edhe 7 punonjës të organizatës së bamirësisë World Center Kitchen e cila solli një anije me ushqime për palestinezët që ndodhen në krizë urie që nga nisja e luftimeve.
Për sulmin në fjalë Shtetet e Bashkuara thanë se i kërkuan Izraelit një hetim urgjent për ngjarjen.
"Ne jemi zemërthyer dhe thellësisht të shqetësuar nga kjo që po ndodhë. Punonjësit e ndihmës humanitare duhet të mbrohen pasi ata ofrojnë ndihma që janë jashtëzakonisht të nevojshme dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit që të hetojë me shpejtësi atë që ndodhi.", tha Adriene Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
Organizata në fjalë teksa akuzoi Forcat e Mbrojtjes Izraelite për sulmin bëri të ditur se punonjësit e saj janë shtetas nga Australia, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Palestina.
Pas akuzave forcat e mbrojtjes izraelite as nuk i mohuan dhe as nuk i pranuan ato por thanë vetëm se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për dërgimin e sigurtë të ndihmave humanitare dhe se kanë bashkëpunuar ngushtë me organizatën në fjalë për ofrimin e ushqimeve popullit të Gazes. Sulmi u dënua edhe nga Shefi i Politikës së Jashtme Josep Borrell.
"Unë e dënoj sulmin dhe kërkoj një hetim. Pavarësisht nga të gjitha kërkesat për të mbrojtur civilët dhe punonjësit humanitarë, ne shohim vazhdimisht viktima të pafajshme”, tha Borell.
Akuza ndaj Izraelit ka edhe për bombardimin e ambasadës siriane në Damask ku mbeten të vrarë 7 këshilltarë ushtarakë dhe tre komandantë të lartë pasi dyshohet se sulmi ka ardhur si pasojë e përshkallëzimit të luftimeve mes Izraelit dhe kundërshtareve të tij rajonal.
Nga frika e një zgjerimi të tillë të luftës në rajon këtë të martë kanë planifikuar që të takohen në Paris edhe presidenti Francez Emmanuel Macron dhe Sekretari Amerikan i shtetit Antony Blinken.
Dy liderët kanë planifikuar diskutime kryesisht për luftën në Ukrainë dhe në Gaza. Ndërkohë kryeministri spanjoll gjatë nja turneu në Spanjë bëri të ditur se deri në muajin korrik vendi i tij do të njohë shtetësinë palestineze.



