Farmacistja Vjosa Shkodra zbulon kimikatet e dëmshme në kremrat për kujdesin ndaj lëkurës dhe thotë se për përzgjedhjen e kremit të duhur, duhet hulumtuar se cili duhet blerë dhe i kujt kompania është, teksa shprehet se efikasiteti nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me çmimin e tij.
Në emisionin “Zgjohu me MCN”, Shkodra deklaroi se çdo krem që përdorim ka kimikate, duke shtuar se edhe uji që pimë ka kimikate dhe se edhe trupi ynë ka kimikate.

Nuk ka gjasa që diçka të krijohet pa kimikate. I gjithë universi është i përbërë nga kimikate.
Nuk pajtohem që kremrat organike janë më të mira se të tjerat, nuk e besoj dhe është shkencërisht e vërtetuar se produktet organike bio, janë më të lira për nga efikasiteti.
Kur sheh listën e ingredientëve që nuk kuptohen, kupton se janë ingredient sintetik, por duhet kujdesur që të mos përmbajë alkool se irriton lëkurën, të mos përmbajë merkur, se është jashtëzakonisht i dëmshëm.
Çdo gjë është e dëmshme në varësi nga doza. Një Spf e lartë apo e ulët nuk është shumë e dëmshme, me rëndësi është që të aplikohet gjatë gjithë kohës në plazh.
Vajin e ullirit përdore pasi të kthehesh në shtëpi, se ka veti hidratues dhe jo mbrojtës ndaj diellit.
E thith më shumë diellin dhe shkakton dëmtim të lëkurës dhe djegie.
Nuk ka asnjë krem me faktor mbrojtës që të mbron 100% nga rrezet e diellit.
Dy orë pas aplikimit të kremit jemi të mbrojtur, më pas duhet riaplikuar se më tej lëkura jote e ka absorbuar.
Sasia që duhet aplikuar është përgjatë tre gishtave të parë dhe të përhapet në mënyrë të njëtrajtshme.
30 ml krem duhet ta aplikosh në gjithë trupin që të kesh mbrojtjen e duhur. Përzgjedhja e kremrave bëhet në varësi të llojit të lëkurës.
Është gabim të mos e hidratosh lëkurën e yndyrshme, se yndyra jote nuk e zëvendëson dot ujin që i duhet.
Ndaj duhet një krem me acid ialuronik. Kjo gjë duhet bërë veçanërisht gjatë natës.
Preferohet që kremi mbrojtës të aplikohet në çdo stinë të vitit, por edhe nëse je në zyrë dhe afër dritares, se rrezet depërtojnë edhe nëpërmjet xhamit.
Shkodra sqaroi se nëse kremi përdoret gjashtë muaj pas datës së skadencës mund të ketë efekte anësore si irritim të lëkurës, skuqje, tharje, mbyllje e poreve.



