
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin, ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018. Megjithë, lidhur me arritjet kundër organizatës terroriste, Shteti Islamik, raporti thotë se Evropa vazhdon të përballet me një numër kërcënimesh nga organizata të huaja terroriste, nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, nga terrorizmi i kultivuar brenda vendit, si dhe nga terroristët e mbështetur nga Irani.
Ndër vendet evropiane që ndërmorrën hapa konkrete kundër terrorizmit të mbështetur nga regjimi iranian, përmendet edhe Shqipëria. Në seksionin për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi të mbështesë me forcë përpjekjet anti-terror, si dhe vazhdoi të marrë pjesë në Koalicionin Global për Mposhtjen e ISIS-it. Kërcënimi terrorist në Shqipëri vjen nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, si dhe nga përpjekjet për radikalizimin e rinisë shqiptare drejt dhunës. Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, përfshirë ambasadorin iranian, në përgjigje të një plani të sponsorizuar nga Irani për kryerjen e një sulmi terrorist në Shqipëri.
Ndonëse thuhet se nuk ka patur incidente terroriste, në raport nuk përmendet asnjë shifër në lidhje me të rekrutuarit apo të burgosurit në organizata terroriste. E njëjta gjë vihet re edhe në përgjigjen e qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila sikurse konfirmon vetë, ka nisur punën me kapacitet të plotë 8 muaj pas çeljes së saj. Në lidhje me pyetjen se sa raste janë identifikuar dhe në sa prej tyre është bërë e mundur ndërhyrja, përgjigja është mjaftuar vetëm me numrin e 16 shtetasve të cilët janë akuzuar dhe dënuar në burgjet shqiptare për vepra penale që lidhen me veprimtari terroriste. Por nuk ka shifra për rastet e identifikuara, sikurse dhe për shqiptarët e përfshirë apo rekrutuar në organizatat ekstremiste në Lindjen e Mesme përgjatë viteve të fundit. Në lidhje me këtë, qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm konfirmon se nuk ka statistika mbi numrin e shtetasve shqiptarë që janë rekrutuar nga ISIS.
Shqipëria vazhdon të përfitojë nga programet e asistencës së financuara nga qeveria amerikane për trajnimin e prokurorëve, zyrtarëve të zbatimit të ligjit, hetuesve financiarë, analistëve të zbulimit dhe gjykatësve. Megjithë përpjekjet për parandalimin e financimit të terrorizmit, përmendet konkluzioni i MONEYVAL, organ i Këshillit të Evropës, që e vlerëson Shqipërinë me “efektshmëri të ulët” në tre drejtimet kryesore të financimit të terrorizmit: konfiskimin, hetimin dhe shtrirjen e sanksioneve financiare.



