
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, bëri publike një paketë masash që kanë për synim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspketin e sigurisë dhe stabilitetit ekonomik. Për qeverinë britanike, procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, ka qenë frytdhënës, parë kjo në aspektin e integrimit ekonomik, lidhjeve infrastrukturore e atyre të enegjisë dhe nxitjes së bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe të rinjve.
Paketa e propozuar nga qeveria britanike synon ndikimin pozitiv në çështje të sigurisë, në mënyrë të veçantë te lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, që pritet të ketë ndikim direkt në uljen e këtyre aktiviteteve të paligjshme në rrugët e Britanisë së Madhe.
Grupet e krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prezencë të konsiderueshme në Britani. Qeveria britanike vlerëson se bashkëpunimi me rajonin dhe partnerët europianë kanë sjellë rezultate pozitive, si goditja e një rrjeti kriminal që llogaritet të ketë importuar në Britani më shumë se 8 mijë kg kokainë në vit, me një vlerë totale rreth 800 milionë paund.
“Koha ka treguar se siguria e Ballkanit Perëndimor do të thotë siguri e Europës. Ne do të dalim nga BE-ja marsin e ardhshëm, por mbetemi të përkushtuar në rritjen e prosperitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Paketa që kam propozuar sot do të jetë në funksion të këtij projekti”, tha May.



