
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit me anë të një postimi në rrjetet sociale ka publikuar hartën ku shpjegohet se cilat zona janë të rrezikuara nga zjarri.
Qarqet me rrezik më të lartë janë qarqet e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Në qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë pritet rrezik “I moderuar”.
IGJEUM shpjegon se rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme ku edhe temperaturat janë më të larta.
Më herët Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se prej ditësh vijon puna për shuarjen e flakëve të zjarrit në disa zona të vendit në jug dhe në veri.
Në Gjirokastër është bërë i mundur shuarja e të gjithë vatrave të zjarrit, ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit.
Ndër të tjera ministria thekson se janë aktivizuar disa vatra të tjera zjarri në zonën e Dibrës, në Elbasan dhe vijon puna për neutralizimin e flakëve në fshatin Cukal në Shkodër.
Ndërkohë kujtojmë se një ditë më parë në vendin tonë është shënuar dhe viktima e parë nga flakët e zjarrit. 64-vjeçari Andrea Haxhiraj ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit.






