Në Zululandin e sotëm, Nano u fokusua tek zgjedhjet në shba, që do të mbahen pas më pak se dy javësh. Ai u ndal tek fenomeni Trump, duke bërë ilustrime me pamje filmike. Ai u ndal mbi të gjitha tek qëndrimi i Trumpit lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. "Zgjedhjet janë të manipulaura, dhe prandaj qëndrimin tim do ta merrni vesh në kohën e duhur. Unë do t'ju mbaj in suspence", ka thënë Trumpi. Nano thotë se Trump, edhe nëse i humbet zgjedhjet, e ka bërë dëmin me këtë deklaratë. Dhe vijon: "Unë personalisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve, për shkak të Trumpit thënë më shkoqur, kam më pak respekt për shoqërinë amerikane, për demokracinë amerikane, dhe për një ambasador amerikan në Shqipëri."
Nano sheh një dallim mes mosnjohjes së zgjedhjeve në SHBA e mosnjohjes së zgjedhjeve në Shqipëri: " Kur thotë një kandidat presidencial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se "nuk do t'i njoh zgjedhjet" nuk është njësoj sikur këtë ta thotë një gangster politik në Tiranë. Këtij të fundit mund t'ia mbyllin gojën në një mënyrë a në një tjetër. Del ambasadori amerikan, apo dalin vëzhguesit e OSBE-së, apo dalin udhëheqës të ndryshëm të Europës, që thonë një fjalë të mirë për zgjedhjet, dhe muhabeti kështu quhet i mbyllur, edhe pse zgjedhjet ne fakt mund te mos kenë qenë të mira. Por në SHBA nuk ka OSBE, nuk ka vëzhgues, e nuk ka njeri që ta zgjidhë këtë punë. Nëse një kandidat nuk njeh zgjedhjet, ai vë në diskutim themelin, mbi të cilën ngrihet gjithçka. Në rastin konkret, ai vë në diskutim presidentin e zgjedhur, e për rrjedhojë vë në diskutim legjitimitetin e këtij Presidenti, të cilit nuk është se i duhet të qeverisë thjesht Amerikën. Në fakt, i duhet të drejtojë edhe botën. A mund ta drejtojë botën një lider që nuk njihet e nuk respektohet brenda vendit te vet, që nuk njihet e nuk respektohet nga gjysma e votuesve të tij?"



