Rezultatet e maturantëve shqiptarë gjatë dekadës 2015–2025, ndryshimet mes ZVAP-ve, performanca e gjimnazeve dhe diferencat mes notës mesatare vjetore dhe rezultateve të Maturës Shtetërore janë bërë pjesë e një analize të “Qëndresës Qytetare”.
Aktivisti Vilson Blloshmi shpjegoi për ‘MCN Live’ gjetjet e raportit, i cili ka marrë në shqyrtim shkollat në të gjithë vendin, duke u fokusuar te tri lëndët e detyrueshme: gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
Blloshmi tha se qëllimi i hulumtimit ka qenë përfshirja e të gjitha shkollave të Shqipërisë, në mënyrë që analiza të mos kufizohej vetëm te disa gjimnaze apo zona të caktuara, por të krijohej një panoramë më e gjerë mbi ecurinë e arsimit të mesëm gjatë një periudhe dhjetëvjeçare.
Janë përfshirë të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe arsyeja është që të mos përjashtojmë askënd nga hulumtimi, në mënyrë që ajo që do të nxjerrim të ketë kuptim për gjendjen e arsimit. E kemi shtrirë analizën në një hark kohor të tendencave për të kuptuar si kanë qenë maturantët në fillim të këtij dhjetëvjeçari dhe si janë tani, si ka ndryshuar performanca dhe nëse po shkojmë drejt një përmirësimi të notave apo nëse po shkojmë më keq.
Sipas tij, metodologjia e përdorur nuk synon të rendisë thjesht shkollat sipas numrit të nxënësve, por merr në konsideratë mesataren e rezultateve të maturantëve, duke u ndalur te lëndët që mundësojnë një krahasim më të qartë ndër vite.
Metodologjia nuk mat shkollat në numër, por mesataren e maturantëve. Ne jemi ndalur në tri lëndët që janë të detyrueshme, në mënyrë që të ketë kuptim dhe të kemi të dhëna të krahasueshme: gjuhë e huaj, matematikë dhe gjuhë shqipe. Kjo na jep mundësinë të shohim jo vetëm një rezultat të izoluar të një viti, por edhe tendencën e performancës së maturantëve përgjatë një dekade.
Duke folur për performancën e gjimnazeve, Blloshmi theksoi se rezultatet nuk janë të njëjta në të gjithë vendin dhe se ka shkolla që kanë ruajtur performancën e tyre të lartë, ndërsa të tjera kanë pasur luhatje të dukshme ndër vite.
Për të bërë një krahasim, disa gjimnaze vazhdojnë të performojnë si në krye të dekadës, disa kanë përmirësuar performancën, ndërsa disa të tjera nuk e kanë më atë performancë. Pra, vendi nuk është homogjen kudo. Ka gjimnaze që kanë performuar mirë për disa kohë dhe në vite të tjera nuk shfaqen më me atë performancë. Kjo do të thotë se duhet punuar veçanërisht me ato gjimnaze që zhduken nga ‘top 10’ që ne e kemi cilësuar, sepse rezultatet e tyre tregojnë se performanca nuk është domosdoshmërisht e qëndrueshme ndër vite.
Një tjetër element i evidentuar nga analiza lidhet me nivelin e notave të maturës. Sipas Blloshmit, rritja e rezultateve gjatë periudhës së marrë në shqyrtim është e kufizuar, ndërsa më shumë sesa ndryshimi mes fillimit dhe fundit të periudhës, bien në sy luhatjet nga njëri vit në tjetrin.
Sa i përket notave, nëse marrim notën e Maturës, mund të themi se kemi një rritje jashtëzakonisht të ulët. Unë do të veçoja luhatjet ndër vite më shumë sesa fillimin dhe fundin. Ajo që bie në sy është se mesatarja e gjuhës së huaj është më e mirë se ajo e gjuhës shqipe, pra kemi një situatë ku maturantët shkruajnë më mirë në gjuhën angleze sesa në gjuhën shqipe. Kjo është një e dhënë që duhet parë me kujdes dhe nuk mund të anashkalohet kur flasim për cilësinë e arsimit.
Blloshmi theksoi se rezultatet nuk mund të përmblidhen me një përfundim të vetëm për të gjithë arsimin e mesëm në vend, pasi diferencat mes gjimnazeve janë të konsiderueshme dhe të dhënat duhet të lexohen në kontekstin e secilës shkollë.
Gjimnazin dhe arsimin e mesëm nuk do ta mendoja si një diçka që mund ta themi me një fjali, por do të duhet ta copëtojmë dhe për çdo gjimnaz, sepse e dhëna ka edhe limitet e saj. Megjithatë, mund të themi se në disa gjimnaze duhet punuar fort për të rritur cilësinë. Nuk mund të kemi një qasje të njëjtë për të gjitha shkollat, sepse edhe performanca e tyre ndër vite tregon se problemet dhe nevojat nuk janë të njëjta.



