
Një ministër lokal i Shëndetësisë në Indi e gjeti veten në mediat e vendit pasi dikush e kishte kapur në foto teksa urinonte në një mur në Jaipur, Rajasthan. Fotoja bëri bujë pasi erdhi në kulmin e një fushatë kombëtare që ka për qëllim ndërgjegjësimin e indianëve për higjienën në vendet publike.
Fotoja e Kalicharan Saraf, ministër Shëndetësie në shtetin Rajasthan, u bë virale pasi u publikua në Tuiter nga një deputet i opozitës. Në foto, ai shfaqet duke urinuar në murin anësor të rrugës, ndërsa makina e tij zyrtare e pret në rrugë. Pas publikimit të fotos, vetë ministri tha se ajo “nuk është ndonjë gjë e madhe”.
Kryeministri Narendra Modi prej kohësh ka iniciuar fushatën Swachh Bhrat (Të pastrojmë Indinë). Fushata drejtohet nga qeveria qendrore indiane dhe synon të eliminojë urinimin në hapësirat publike dhe ndërtimin e miliona tualeteve në zonat rurale të vendit. Autoritetet lokale nëpër zona të ndryshme të Indisë kanë nisur aplikimin e gjobave 200 rupi (3 dollarë) për ata që urinojnë në rrugë apo në mjedise të tjera publike.



