Prokuroria e Tiranës ka marrë referimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), për skandalin e pulave me salmonelë të importuara nga Brazili që u ndaluan në Portin e Durrësit.
Burime zyrtare konfirmuan se për të hetuar këtë skandal, me short është caktuar prokurori Platin Aliçka.
Ky i fundit pritet që brenda 15 ditësh, të regjistrojë procedimin penal.
Organi hetues tregohet i rezervuar mbi emrin e kompanisë që futi këto produkte në vendin tonë megjithëse sipas burimeve mësohet se është AMG FOOD. Administratori i kësaj fabrike, Mondi Goxha ka marrë fonde IPARD. AMG FOOD, fabrika që ish-ministrja Krifca e reklamonte si një investim i madh dhe serioz është përfshirë disa herë në skandale të ngjashme duke futur mish me salmonelë në vendin tonë.
Kjo fabrikë operonte në zonën e Kasharit dhe ishte e fokusuar tek përpunimi dhe magazinimi i produkteve të mishit.



