Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Shqipërisë 30 mijë teste në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Kreu i PD, Lulzim Basha, shprehet se ndihma do t'i shërbejë sistemit shëndetësor shqiptar aq shumë të domosdoshëm në këtë betejë, pasi shton se testimi dhe izolimi janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe për të mposhtur virusin.
"Sot dua të shpreh falenderimin tim për ndihmën financiare të aleatëve tanë strategjikë SHBA, e cila do t'i mundësojë sistemit shëndetësor 30 mijë kite testimi aq shumë të domosdoshme në këtë betejë. Testimi dhe izolimi janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe për të mposhtur virusin", shkruan Basha.
Por kryeministri Edi Rama, teksa falenderon SHBA-në për ndihmën bujare në funksion të stokut të testeve, reagoi ndaj deklaratës së kreut të opozitës, Lulzim Basha, duke theksuar se kjo nuk do thotë se numri i testeve që bëhen, kushtëzohet nga stoku, pasi atë e vendos Komiteti Teknik.
“Patjetër na lumturon reagimi pozitiv i SHBA për ta adresuar ndihmën bujare në funksion të stokut të testeve! Po kjo s’do të thotë fare se numri i testeve që bëhen kushtëzohet nga stoku. Në qoftë se Komiteti Teknik do thoshte 2000 teste në ditë, do kishte 2000 në ditë! LB-PD vazhdon ia fut kot. Pikë”, tha Rama.



