
Pas sulmit të javës së kaluar në Damask dhe kërcënimeve për hakmarrje nga zyrtarët iranianë, Izraeli ka paralajmëruar se do të sulmojë objektivat në Iran nëse do të nisë një sulm të drejtpërdrejtë, sipas një raporti arab të publikuar hënën.
Duke cituar një “zyrtar perëndimor të sigurisë” anonim, Elaph News me qendër në Londër raportoi se Izraeli ka kryer stërvitje të forcave ajrore ditët e fundit që përfshijnë përgatitjen për të shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe infrastrukturën tjetër kryesore.
Burime të paidentifikuara të inteligjencës amerikane i thanë CNN, se Irani nuk ka gjasa të sulmojë drejtpërdrejt Izraelin nga frika e hakmarrjes amerikane dhe izraelite, dhe në vend të kësaj do të nxisë përfaqësuesit e tij të ndryshëm në rajon që të nisin sulme në emër të tij në ditët në vijim.
I publikuar të hënën mbrëma, raporti ngriti dyshime mbi vlerësimet e mëparshme nga Uashingtoni dhe Jeruzalemi se një sulm nga Irani ishte “i pashmangshëm”.
Izraeli ka qenë në gatishmëri të lartë gjatë javës së kaluar mes premtimeve të zyrtarëve iranianë për hakmarrje për një sulm ajror në Damask që vrau komandantin e tyre të lartë në Siri, Mohammad Reza Zahedi; së bashku me gjashtë anëtarë të tjerë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe të paktën një anëtar të grupit iranian Hezbollah.
Megjithëse Izraeli nuk ka komentuar mbi këtë çështje, si Damasku ashtu edhe Teherani fajësojnë Izraelin për sulmin e të hënës së kaluar. New York Times citoi katër zyrtarë izraelitë të paidentifikuar që konfirmonin se vendi qëndronte pas sulmit.
Në një takim të kabinetit të sigurisë të enjten, kryeministri Benjamin Netanyahu aludoi fuqishëm për sulmin ndërsa u zotua se do t’i përgjigjet një sulmi të mundshëm iranian.
“Irani ka vepruar kundër nesh për vite me radhë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet përfaqësuesve. Prandaj, Izraeli vepron kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij, në mënyrë mbrojtëse dhe sulmuese”, tha ai.
Zahedi thuhet se ishte përgjegjës për operacionet e Forcave Quds të IRGC-së në Siri dhe Liban, për milicitë iraniane atje dhe për lidhjet me Hezbollahun, dhe kështu ishte komandanti më i lartë i forcave iraniane në të dy vendet.
63-vjeçari ishte ushtari më i rëndësishëm iranian i vrarë që nga sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aeroportin e Bagdadit që vrau kreun e Forcave Quds, gjeneralin Qassem Soleimani në vitin 2020.
Analistët e panë sulmin si një përshkallëzim të fushatës së Izraelit kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij rajonalë që rrezikon të shkaktojë një luftë më të gjerë përtej konfliktit Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.
Si Irani ashtu edhe Hezbollahu janë zotuar të hakmerren për sulmin. Një këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei kërcënoi ambasadat izraelite, duke i thënë agjencisë iraniane të lajmeve ISNA të dielën se “ambasadat e regjimit sionist nuk janë më të sigurta”.
Në komentet televizive të premten e kaluar, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se një përgjigje iraniane po vinte.
Të jeni të sigurt, se përgjigja iraniane ndaj sulmit të konsullatës në Damask po vjen patjetër kundër Izraelit.



