Regjisori Kastriot Çipi tha se Bashkimi Europian dhe Parlamenti Europian kanë centralizuar pushtetin pa një Kushtetutë të votuar nga popujt.
Duke folur në “Arnautistan” Çipi tha se Traktati i Lisbonës i jep BE-së të gjitha të drejtat për politika detyruese për vendet anëtare, pa marrë konsensusin e popullit.
Ti s’ke marrë mandatin e popujve për të krijuar një shtet federal. Po krijohet dita, ditës, është në proces. Projekti i BE është për të krijuar shtet. Shtet federal është Gjermania, Amerika, Zvicra. Këto vende kanë një Kushtetutë kombëtare, federale, që rregullon marrëdhënien e qeverisë qendrore me ato vendore, të kantoneve apo landeve. Çdo shtet ka një lloj autonomie edhe në ligjbërje dhe në ndërtim politikash për sa kohë që politikat nuk bien ndesh me kushtetutën e shtetit të madh federal. Ka arbitrazh që i ndan këto punë. Popujt europian s’kanë rënë dakord për të krijuar federatën europiane, ndërkohë që BE bën ligje detyruese, nuk janë këshilla dhe orientime. Po ashtu KE ndërton politika detyruese për vendet anëtare. Ky projekti i Kushtetutës duhet të kalonte në referendum që të bëhej më në fund Europa shtet dhe ta vazhdonte centralizimin e pushtetit Brukseli. Në Francë dhe Holandë dështoi dhe hartuesit hoqën dorë. Në vend të Kushtetutës që dështoi në 2004, bënë Traktatin e Lisbonës, që ua jep të gjitha të drejtat por pa konsensusin e popullit. Kjo është të të nxjerr nga dera dhe të hysh nga dritarja”.



