
Ish-presidenti afgan, Ashraf Ghani, dhe familja e tij janë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Emirateve, e cituar nga Sky News.
"Ministria e Jashtme dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar i Emirateve të Bashkuara Arabe mund të konfirmojë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mirëpritur Presidentin Ashraf Ghani dhe familjen e tij në vend për arsye humanitare", tha ministria në një deklaratë.
Dy ditë më parë, mediat ruse, duke iu referuar ambasadës ruse në Kabul, raportuan se Ghani ishte larguar nga vendi me katër makina dhe një helikopter të mbushur me para kesh, madje i është dashur të heqë dorë nga një sasi, pasi ishte e pamundur t’i merrte të gjitha.
Ghani u bë zyrtari i parë që la Afganistanin pasi talebanët morën Kabulin pa pothuajse asnjë rezistencë. Ai tha se donte të shmangte gjakderdhjen.
"Katër makina ishin plot me para, ata u përpoqën të fusnin një pjesë tjetër të parave në një helikopter, por jo të gjitha mund t’i zinte. Dhe disa u detyruan t’i linin pas”, citoi agjencia RIA Nikita Ishchenkon, një zëdhënëse e ambasadës ruse në Kabul.
Të njëjtën gjë, ajo raportoi më pas edhe për Reuters.



