Prindërit e fëmijëve që frekuentojnë kopshtin “Zubejde Hanim” duke folur për MCN Live e konsiderojnë të padrejtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për mbylljen e këtij institucioni.
Një protestë dhe një peticion është iniciuar nga prindërit kundër mbylljes së kopshtit në fjalë.
Njëri prej prindërve vë në dukje se kopshti ka vite në arsim dhe ka një infrastrukturë nga më modernet në Shqipëri.
Kemi qenë të interesuar të shikojmë vetë situatën. Kemi firmosur një peticion dhe na duket diçka e padrejtë. Është një institucion me kaq vite në arsim dhe ka një infrastrukturë nga më modernet në Shqipëri. Jemi informuar që prej dy ditëve për vendimin e ministrisë, me të gjitha detajet, të dhënat. Ne kemi bërë pagesën fillestare sipas marrëveshjes. Na kanë njoftuar të gjitha detajet që duhet të bëjmë. Ne shpresojmë që kjo duhet të vazhdojë”.
Një tjetër prind shprehet se nuk do ta ndërronte këtë kopsht me një tjetër, pasi ka pasur edhe dy fëmijë të tjerë në këtë institucion dhe ka mbetur mjaft i kënaqur.
Kam djalin në parashkollor, kam pasur edhe dy fëmijë të tjerë. Si prind jam mjaft i kënaqur, nuk do ta ndërroja kopshtin. Jam informuar me shkresë nga ana e kopshtit. Shkresa ishte në formë informacioni mbi vendimin e MAS”.
Një nga edukatoret e kopshtit e konsideron po ashtu vendimin si të padrejtë, duke theksuar se çdo gjë është e vërtetuar me fakte.
Punoj prej 12 vitesh në institucionin ‘Turgut Özal’. Prej kaq vitesh kemi bërë që ecuria e mësimdhënies të vazhdojë normalisht. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me prindërit. Është një vendim i padrejtë, duke qenë se çdo gjë është e vërtetuar me fakte. Më vjen keq të merret një vendim kaq i papritur. Kjo është gjëja më palogjikë dhe më e pabesueshme”.



