Kryeministri David Cameron dhe të tjerë para tij kishin refuzuar të jepnin një përgjigje direkte, por duket se Theresa May është e vendosur në mbrojtjen e interesave të vendit të saj.
Theresa May ka deklaruar pa hezitim se ajo do të urdhërojë një goditje bërthamore për të vrarë qindra mijëra njerëz, nëse ajo do të mendonte se ishte e nevojshme. Kryeministrja e dha këtë përgjigje shokuese gjatë një debati parlamentar për rinovimin e programit të armëve bërthamore “Trident”. May u sfidua nga deputeti George Kerevan, i cili e pyeti: "A jeni të përgatitur për të autorizuar një goditje bërthamore që mund të vrasë qindra e mijëra burra, gra dhe fëmijë?"
May u përgjigj me një fjalë: "Po."
Ajo po ashtu, u tha deputetëve se do të ishte "një akt i papërgjegjshëm" për Mbretërinë e Bashkuar që të heqë armët bërthamore të cilat janë të parat "për tu mbrojtur nga armiqtë e vendit".
Kryeministrat e mëparshëm i janë shmangur pyetjes hipotetike nëse ata ndonjëherë do të shtypnin butonin e armëve bërthamore. Sir Geoffrey Hoëe, i cili ishte sekretar i Jashtëm në vitet e fundit të luftës së ftohtë, tha se kjo ishte një pyetje që asnjë kryeministër nuk duhet kurrë të përgjigjet direkt.
Por zonja May e dinte se lideri i laburistëve ishte përgatitur për të sqaruar pozicionin e saj. Vendimi për programin e nendetësve bërthamore që u votua të hënën ishte bërë nga David Cameron, i cili u ul tre rreshta mbrapa duke mos thënë asgjë, ndërsa pasardhësja e tij iu drejtua deputetëve.
Zyrtarisht, parlamenti ishte duke kërkuar miratimin për të shpenzuar deri në rreth 30 miliard paund për rinovimin e katër nëndetëseve Trident që janë të pajisura me raketa bërthamore. Çdo orë të ditës apo natës është gjithmonë një nëndetëse që patrullon detin, u tha në shpjegimet e këtij projektligji.
Nëndetëset “Trident” u blenë fillimisht nga SHBA nga Margaret Thatcher si një mbrojtje e minutës së fundit, në rast se ushtritë e ish-Paktit të Varshavës do të pushtonin Evropën. Laburistët deklaruan votën kundër këtij programi, ata kërkojnë rishikimin e programit të mbrojtjes.



