Një i ri në Fier i cili mbante me forcë bashkëjetuesen italiane në banesë prej disa ditësh dhe ushtronte dhunë ndaj, saj ka përfunduar në pranga, pas sinjalizimit nga ambasada italiane në Tiranë.
Më konkretisht nga ambasada është raportuar në polici se një shtetase italiane mbahej pa dëshirë, në një banesë në fshatin Cakran, nga bashkëjetuesi i saj, i cili dhe e dhunonte.
Uniformat blu të koordinuara nga strukturat përfaqësuese të Italisë për sigurinë në Shqipëri, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë në drejtim të zonës së sinjalizuar.
Si rezultat i veprimeve policore, të realizuara në kuadër të operacionit “Fast Reaction”, u kap në tentativë për t’u larguar nga banesa, me një automjet të marrë me qira, autori i dyshuar A. I., 27 vjeç.
Shtetasja italiane iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës së Italisë në Shqipëri dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Mësohet se autori, me precedent kriminal, për dhunë në familje dhe për vjedhje, ndërsa në ngarkim të tij materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Dhuna në familje”.



