Ish-deputetja Rudina Hajdari deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se babai i saj i ndjerë, Azem Hajdari, ka ndikuar që ajo të niste rrugëtimin politik duke e mbajtur si "vath në vesh" amanetin e tij.
Më vjen keq që s’e njeh konceptin e heroit, sepse është guxim i madh të jetosh në mënyrë altruiste. Ashtu ishte ai (Azem Hajdari). Investoi çdo gjë në kauzën që kishte për ta bërë Shqipërinë siç e meriton, të jetë pjesë e Evropës. Ai nuk është më dhe ne ende sot po luftojmë për të njëjtën gjë. Thoshte që do t’ia lë amanet fëmijëve gjithë rrugëtimin e tij politik, sepse ai brenda tij e dinte që një ditë nuk do ishte, dhe që ne e mbajtëm vath në vesh dhe kështu po bëjmë. Jam në politikë sepse e dua shumë këtë vend. Babai im ka ndikuar pa masë. Kam qenë fëmijë kur ai iku, në mënyrë të padrejtë, gjithmonë më ka mbetur peng kontributi dhe jeta e tij politikë. Kam dashur të ecë në hapin e tij. Ndoshta s’ia arrij dot siç ishte ai, por po mundohem të jem Rudina. Duke patur atë si model, e mendoj politikën me dëshirën për të madhe për një lloj impakti dhe ndryshimi”.
Hajdari u shpreh se koha i dha të drejtë lidhur me vendimin për mos djegien e mandatit. Ish-deputetja u shpreh se sistemi aktual zgjedhor është i mbyllur, ku peshën më të madhe e kanë kryetarët e partive.
Sot e kësaj dite fakti që mbajta mandatin më dha të drejtë. Lufta që bëra në Kuvend për një sistem proporcional me lista të hapura, nuk u lejua nga dy kryetarët e partive. Mendoj që njerëzit duhet t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre, siç ka qenë me sistemin mazhoritar. Ne sot kemi sistemin më të mbyllur të mundshëm. Pesha e kryetarit, se si i rendit kandidatët, është më e madhe se ajo e qytetarit për ta prishur atë renditje. Shumë njerëz mendojnë vetëm për karrigen e tyre. Kur mbajta mandatin e dija që rrezikoja ta humbja. Ishte një akt i vështirë. Sakrifikova shumë, por koha më dha të drejtë”.



