Tensionet vijojnë të mbeten në të larta në Mesdheun lindor, ku Turqia po kërkon në fundin e detit për rezerva të energjisë, në një zonë që Greqia e pretendon si shelfin e saj kontinental.
Kjo mosmarrëveshje mbi të drejtat e shpimit ka shkaktuar përgjigje të forta nga secila palë. Dy vendet aleate të NATO-s i kanë dislokuar forcat detare dhe ajrore për të “mbështetur” pretendimet e tyre konkurruese në rajon.
Të shtunën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i dërgoi një paralajmërim të ashpër Athinës.
"Ata ose do ta kuptojnë gjuhën e politikës dhe diplomacisë, ose do të përjetojnë diçka të dhimbshme në terren", tha ai në një ceremoni në Stamboll.
Por ekspertët argumentojnë se kjo deklaratë është më shumë për propagandë në vend sesa përfaqëson një ultimatum aktual.
Analisti i Turqisë në “GlobalSource Partners”, Atilla Yeşilada, i tha Euronews-it se Erdogan "e do Greqinë në tryezën e bisedimeve", por shtoi se Greqia nuk ka gjasa të vijë.
"Ne kemi qenë në këtë pikë të paktën një mijë herë që nga konflikti i Qipros në 1974 dhe asgjë nuk ka ndryshuar".
Në të njëjtën kohë, ai përjashtoi që mosmarrëveshja aktuale mund të përshkallëzohet në një konflikt ushtarak aktual.
"Tensioni nuk do të shndërrohet në luftë dhe bllokimi do të vazhdojë me të dy palët duke bërë atë që janë mësuar të bëjnë".
Erdogan aktualisht po zhvillon bisedime me BE-në, por Yeşilada beson se janë SHBA-të ato që mund të kenë sukses në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Turqisë.
"Nëse Biden zgjidhet në SHBA, ai mund të jetë një bashkëbisedues i suksesshëm", theksoi Yeşilada.
"Në të kaluarën, kur tensionet ishin shumë të larta, ne pamë që arbitrazhi amerikan funksionoi në një farë mase". / Euronews /



