“Xhadat” -  Banorët, apel shtetit “Të mbyllen guroret se po vdesim”

“Xhadat” -  Banorët, apel shtetit “Të mbyllen guroret se po vdesim”

Ushtrimi i aktivitetit të guroreve, është bërë shpesh problem për banorët që jetojnë pranë tyre. Ndotja mjedisore dhe dëmet e shkaktuara nga shpërthimet kanë bërë që banorët e fshatit Burimas në Maliq, të kërkojnë mbylljen e dy guroreve, atë të shoqërisë Millenium sh.pk dhe Fabina shpk.

"Kemi regjistrime në fshat që nuk mund të marrësh frymë nga pluhuri, zhurma është e tmerrshme.Guroret kanë përdorur lëndë plasëse dhe vazhdojnë akoma të përdorin, duke sjellë dëme në shtëpitë e fshatarëve. Në muajin korrik fshati është ngritur në këmbë komplet. Në muajin shtator kur ne kishim zënë rrugën Ministria e Mjedisit i rifreskon lejen mjedisore Milleniumit. Ja çfarë kërkojmë ne, mbylljen e guroreve. Është peticioni i gati 100% të banorëve të fshatit, të mbyllen guroret se ne po vdesim."-u shpreh një nga banorët e zonës.

Ata thonë se nga shpërthimet e minave banesat kanë pësuar dëme, por asnjë nga institucionet nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për vlerësim dëmesh.       

"Shtëpia ime është dëmtuar nga minat, nga plasja e minave të guroreve dhe nga tronditja e tyre. S’bëhet fjalë  për dëmshpërblim, e kemi kërkuar dhe nuk duan t’ja dinë fare. Po ç’kusur kam unë edhe të gjithë fshatarët e tjerë që janë dëmtuar të paguajnë vit për vit për të riparuar shtëpitë që të nxjerrë para gurorja"?!

"Të gjitha plasaritjet që ju shikoni janë nga minat. Kam vajtur në Pojan kam vajtur në Maliq  kudo kam vajtur asnjë gjë, më kanë gënjyer. Do vimë t’i shohim, t’i verifikojmë edhe asnjëgjë nuk është bërë".

I pyetur  nga gazetarët e emisionit Xhadat, Kyetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu u shpreh se shqetësimet e banorëve i ka përcjellë në institucionet kompetente, por dokumentacioni i dy subjekteve rezulton të jetë i rregullt. Ndonëse dokumentacioni mund të jetë në rregull, zbatimi në praktikëi kontratave, ç`ka faktohet nga videot e xhiruara të banorëve dhe pamjet e dëmtimit të banesave, ka probleme.      

"Jam njohur me shqetësimin e banorëve për tymin për tronditjet nga shpërthimet që ata bëjnë. Të gjithë shqetësimet që ata m’i kanë përcjellë ja kam kaluar instancave përkatëse. Në dijeninë time janë ngritur grupe pune pas ndërhyrjes që ka bërë prefekti i qarkut,  janë bërë njoftimet në institucionet përkatëse në ministri  në agjensinë e mjedisit apo ajo që jep leje për karrierat e guroreve  dhe sipas tyre dokumentacioni ka qënë i rregullt".

Ligji ngarkon subjektet me detyrimin për pyllëzimin e zonës. 

Një vit më parë Kryeministri Rama deklaroi se do të mbyllte çdo gurore që nuk do të kryente procesin e pyllëzimit sipas kontratës deri më 31 dhjetor 2021.

E pyetur në lidhje me këtë proces, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore deklaron se sipas projektit fillestar të shfrytëzimit të miratuar  në këshillin teknik dhe planeve vjetore  të miratuara pranë AKBN, subjekti shfrytëzon mineralin e gurit gelqeror  dhe në përfundim të aktivitetit minerar kryen rehabilitimin e sipërfaqes së shfrytëzuar, detyra të lëna në mbikqyrjen e kryer nga grupi i specialistëve. Në këto kushte nuk mund të bëhet rehabilitimi i zonës  pasi subjekti është në aktivitet minerar në zhvillim e sipër.

Vetë institucioni bie ndesh me atë që thotë  pasi në fjalinë përmbyllëse shkruan:  Nga grupi i mbikqyrjes në datën 14 .02.2022 subjekteve u është lënë detyre  të përfundojnë shkallën e sipërme të karrierës  dhe të fillojnë rehabilitimin e zonës.

Të kontaktuar nga emisioni Xhadat përfaqësuesit e dy guroreve, nuk janë shprehur të hapur për të dhënë informacion në lidhje me shqetësimet e adresuara nga banorët.

Gazetarja- Ligji ju ngarkon ose ngarkon subjektet me detyrimin për pyllëzimin e zonës. Pse nuk është bërë kjo deri më tani?

Administratori i  subjektit Favina – Po është bërë pyllëzimi i zonës ju e keni gabim, ne aq pyllëzim sa na ngarkon ligji...

Gazetarja – Ku është dhe sa është, sa metra sa hektarë janë ?

Administrator i firmës Favina – Po kështu në telefon s’ju a them dot.

Gazetarja- Ok, keni mirësinë të na e jepni në një intervistë?

Administrator i firmës Favina- Jo nuk ju jap intervistë, nuk u jap.

Gazetarja- Ok. Po sa vite keni ju që ushtroni këtë aktivitet aty?

Administrator i Firmës Favina -  Faleminderit Mirupafshim!

Gazetarja: E kuptoj. Sa vite keni aktivitet ju?

Menaxheri i  subjektit Millenium:  Po mund të kemi 15-16 vjet.

Gazetarja: Atëherë ka gjithë këto vite dhe ligji ju detyron, domethënë detyron subjektet  që të bëjnë dhe pyllëzimin e zonës, pse nuk e keni bërë deri më tani?

Menaxheri i subjektit Millenium:  E më se nuk janë kaq të thjeshta,  dëgjo pak se unë jam në punë tani, unë do flas me babain, me administratorin se unë nuk jam administrator, unë  thjesht jam menaxheri o firmës.Unë do flas me babain, me administratorin, çfarë do më thotë ai, pastaj do flas me ju. 

Të mbyllen guroret, se ne po vdesim. Ky është apeli i banorëve të fshatit Burimas në Bashkinë Maliq, ankesat e të cilëve deri tani kanë rënë në vesh të shurdhët.   

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy