Pak ditë më parë, Presidenti Meta ngriti alarmin se nga mbi 100 mijë qytetarë janë bërë pre e një skeme mashtrimi, pasi rezultojnë debitorë në institucionet financiare jo bankë. Në dijeni të kësaj situate është edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë, Alban Ruli, i cili flet për një skemë të mirëfilltë mashtrimi.
Skema është kjo: Njerëzit merren në telefon, terrorizohen e vendosen mes dy zgjedhjeve: të paguajnë disafishin e kredisë së vjetër ose të paguajnë kredi të re. Muajt e fundit janë futur në skemë edhe dy-tre përmbarues që ne i kemi denoncuar… Kanë blerë kreditë e tjera konsumatore, duke u mbështetur në artificë nënligjore.
Për këtë skemë, Ruli bën përgjegjës edhe Bankën e Shqipërisë dhe në veçanti guvernatorin Gent Sejko, për të cilin ka edhe një kallëzim penal.
Kredia e shitur quhet kredi e dhënë në sportel. E kemi denoncuar në SPAK Sejkon. Në datë 26 të këtij muaji merret vendimi.
Sipas Dhomës së Përmbaruesve, vetëm dy muajt e fundit, vetëm nga një bankë e nivelit të dytë janë sekuestruar 4 mijë e 60 llogari bankare.



