Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja në mbledhjen e radhës shqyrtoi projektligjet “Për një ndryshim në ligjin “Për gjendjen civile” të ndryshuar” dhe atë “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë prezantimit të nismës, deputetja socialiste Blerina Gjylameti sqaroi se nëpërmjet amendimeve të ligjit ekzistues “Për gjendjen civile” synohet shfuqizimi i masës administrative të vendosur për mosregjistrimin e vendbanimit të ri brenda një afati 30-ditor.
Sipas, Gjylameti, heqja e masës administrative do të sjellë rezultate të menjëhershme në përditësimin e Regjistrit të Gjendjes Civile, por dhe në adresimin dhe ndarjen më të mirë të investimeve publike në të gjithë vendin.
Nga ana e saj, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko vlerësoi se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë në motivimin e qytetarëve për të deklaruar adresën e saktë të vendbanimit dhe për pasojë përmirësimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ndërsa deputetja Vasilika Hysi gjatë relatimit të saj sqaroi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar”.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” ishin ftuar nga Ministria e Brendshme: Julian Hodaj, zëvendësministër dhe Sokol Sheti, drejtor i Drejtorisë së Azilit, si dhe përfaqësues nga UNHCR.
Hodaj gjatë prezantimit të projektligjit u ndal tek risitë dhe nevoja e sjelljes së një ligji të ri, i cili synon përputhshmëri të mëtejshme me “acquis” të Bashkimit Evropian në fushën e azilit.
Mbajtja e të dhënave përmes regjistrit të azilit, hapja e mundësisë së bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, përcaktimi i ndihmës juridike nga shteti shqiptar në rastet kur është e nevojshme, modifikimi i komisionit për Azilin dhe Refugjatët, ishin disa prej risive të nismës të paraqitur nga zëvendësministri Hodaj.
Komisioni miratoi në parim projektligjin, ndërsa shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi do të vijojë në mbledhjen e ardhshme.



