Analisti Mentor Kikia duke folur në Mcn Live se SPAK po evidenton disa krime elektorale të dukshme, si shit-blerja e votës, por ka dështuar të futet në gjirizin e madh të financimit të partive.
Sipas Kikisë këneta e vërtetë është paraja që ushqen makineria politike. Analisti vë në dukje se ata që financojnë fushatat e partive do t’i marrin ato para 10-fish, përmes tenderave, apo formave të tjera.
“Ajo që po përpiqet të bëjë Prokuroria s’është e lehtë. Të vësh rregull në një xhungël ku për 3 dekada e gjysmë e ka bërë ligjin luani me tigrin, ku të fortët kanë qenë padronë në qytetet e tyre, me politikanë që ose u bënë vegla të krimit, ose u përfshinë vet, një politikë që largoi akademikët dhe Parlamenti u mbush me njerëz problematikë, s’është e lehtë të vësh rregull në këtë xhungël.
Ajo që po përpiqet të ekspozojë Task Forca është pjesa e dukshme, njerëzit që kanë blerë votë, apo që kanë shkëmbyer votë. Krimi elektoral është shumëdimensional, s’është vetëm ai që të jep tollona nafte, para në dorë, apo të premton se do të bëjë nëpunës diku. Krimi elektoral fillon te paraja, këtu SPAK-u ka dështuar.
Nuk ka tentuar të futet në këtë gjiriz të madh. Këneta e vërtetë është paraja që ushqen makinerinë politike. Do duhet ta fillonim te origjina e parave, kush e ushqen politikën, këtu SPAK-u s’ka guxuar të futet, sepse është zonë e minuar. Kush i mundësoi ato mitingje, autobusë? Është kosto e jashtëzakonshme. Buxheti që partitë marrin nga shteti është një thërrime përballë kostos reale që ata shpenzojnë.
Nëse nuk kërkohet origjina e financimit të partive s’kemi bërë asgjë. Përpjekja do jetë e lavdërueshme por s’do cenojë thelbin se kush financon makinerinë politike. Një politike që financohet në mënyrë informale do vazhdojë t’i shërbejë informalitetit. Ata që financojnë fushatat e partive i marrin mbrapsht ato para 10 fish”.



