
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka folur në Kuvend për paketën me 10 projektligje të propozuara nga mazhoranca të cilat u futën sot në rendin e ditës. Gjonaj thotë se qëllimi i këtyre 10 projektligjeve është të rritet efektshmëria e sistemit të ri të drejtësisë.
Sipas saj, puna për këto projektligje ka filluar 7 muaj më parë. Gjonaj shton se me këto ndryshime bëhet e mundur që Gjykata e Lartë brenda disa vitesh t’i përfundojë 38 mijë çështje që ka në rend.
“Ka të bëjë me reformën në drejtësi. Kjo legjislaturë ka qenë e lidhur ngushtësisht me jetësimin e saj. E filluam në 2017 duke përfunduar paketën ligjore të Reformës. Po përmbyllim këtë legjislaturë me këtë paketë për të rritur efektshmërinë e sistemit në drejtësi. Këto ndryshime, janë rezultat i një pune gati 7-mujore që ka filluar me një analizë dhe sfidat e Reformës në Drejtësi.
E logjikshme që pas një kohe të caktuar, të vlerësojmë problemet, pengesat që i është dashur të kalojë kjo Reformë. Me ndryshime sot, në ligjet proceduriale Gjykata e Lartë brenda pak viteve përfundon 38 mijë çështje. Ky stok në GJL nuk u krijua këto vite, por janë para Reformës në Drejtësi. I përkasin nga 2010”, tha Gjonaj.
Rritja e efektshmërisë së SPAK është një tjetër qëllim u shpreh Gjonaj teksa theksoi se shqiptarët presin të shkatërrohet kultura e pandëshkueshmërisë. “Kushdo në fund të marrë ndëshkimin e merituar. Propozohet heqja nga kompetenca e SPAK të një sërë çështjeve të korrupsioni të vogël. Trajtimi financiar për SPAK. Shtesat mbi pagë që janë vullnet i mazhorancës për të luftuar korrupsionin e krimin, i japim çdo mjet që i duhet SPAK”, deklaroi Gjonaj.



