
Shefi i "Nissan", Carlos Ghosn është arrestuar lidhur me pretendimet për keqpërdorime financiare, tha në një deklaratë gjiganti i makinave japoneze.
Ghosn, një figurë e njohur në industrinë e makinave, do të shkarkohet nga firma japoneze pas një takimi të bordit të enjten, tha shefi ekzekutiv i saj.
Kompania ka thënë se ka zhvilluar një hetim të brendshëm që ka zgjatur disa muaj dhe që ka treguar se shefi i kompanisë raportonte më pak fitime sesa merrte në të vërtetë dhe informacione të pasakta mbi pagat. Përpos kësaj shkeljeje, janë gjetur edhe disa shkelje të tjera, përfshirë përdorimin e aseteve të kompanisë për qëllime personale.
Nissan tha se nuk ishte në gjendje të japë detaje të mëtejshme mbi veprat penale.
Prokurorët japonezë ende nuk kanë komentuar arrestimin e Ghosn, shkruan BBC.
"Nissan" është makina e gjashtë më e madhe në botë dhe vendi i saj në Sunderland është fabrika më e madhe e makinave në Mbretërinë e Bashkuar.
"Ndjej dëshpërim, indinjatë dhe pakënaqësi", tha shefi ekzekutiv i Nissan Hiroto Saikawa në një konferencë shtypi.
Saikawa tha se Nissan tani do të përpiqet të "stabilizojë situatën dhe të normalizojë operacionet e përditshme" për stafin dhe partnerët e biznesit.
Ai tha se kishte kryer një hetim të brendshëm për disa muaj, të nxitur nga një informator.
Sipas raporteve të medias japoneze, të cilat nuk janë konfirmuar, ai raportoi një shumë prej 5 miliardë jen (44 milionë dollarë) gjatë një periudhe pesëvjeçare nga viti 2011.
Saikawa tha se besonte se sjellja e tillë "vazhdoi për një kohë të gjatë".

Nga viti 2010, firmave japoneze u është kërkuar të zbulojnë pagat e drejtuesve që fitojnë më shumë se 100 milionë jen.
Prodhuesi i makinave shtoi se i kishte ofruar informacione Zyrës së Prokurorëve Publikë Japonezë dhe do të vazhdonte ta bënte këtë.
Nissan tha se gjithashtu planifikoi të anulojë në detyrë edhe ekzekutivin e lartë Greg Kelly, i cili ishte "thellësisht i përfshirë" në sjellje të keqe.
Kelly i cili gjithashtu është arrestuar, sipas firmës u përshkrua si një ndihmës i ngushtë për Ghosn. Saikawa tha se ishte në gjendje të "ushtronte ndikim" në kompani.
Përveç kryesimit të Nissan, 64 vjeçari Libanez Ghosn është gjithashtu shef ekzekutiv i "Renault" dhe kryetar i "Mitsubishi" Motors.
Përveç kësaj, ai është kryetar dhe shef ekzekutiv i aleancës strategjike Renault-Nissan-Mitsubishi Motors. Aksionet e Renault ranë ndjeshëm pas lajmit, duke rënë pothuajse 13%.




