
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, foli për seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si një rast të paprecedentë në Shqipëri.
Sipas Lalës, vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje është thelbësore dhe duhet të shërbejë për vendosjen e balancave mes pushteteve, duke përcaktuar qartë kufijtë mes ekzekutivit dhe institucioneve të tjera kushtetuese.
SPAK, në gjykimin tim, nuk shkoi dot në nivelin kushtetues, por u ndal në tre momente.
Njërës nga pyetjeve, të zonjës Semini, sa ka ndikuar vendimi i ndërmjetëm, prokurorët pretenduan se rikthimi i Ballukut në detyrë, ka ndikuar në hetim, pasi ajo ka tentuar të prishë provat. Me këtë e motivuan të gjithë kërkesën e tyre. U tha se masa është marrë në interes të opinionit publik, pasi Balluku mund të prishë prova, të kryejë vepra të kësaj natyre ose edhe më të rënda. U ndalën në dy momente, që kryeministri nuk mund të legjitimohet për këtë kërkim, pasi nuk ka konflikt institucional, pretenduan se janë vetëm ata si institucion që mund të kërkojnë masa sigurie dhe zoti Rama nuk cenohet në mënyrë të drejtpërdrejt si kryeministër.
Pika e dyta, prokurorët aluduan se kryeministri, duke vënë në lëvizje GJK, po bllokon hetimin për zv kryeministren.Prokurorët patën mesazh edhe për GJK, pasi thanë që përmes vendimeve të saj, GJK ka legjitimuar veprimet e gjykatave dhe prokurorive të shkallëve më të ulëta për të qenë të pavarura, por ndërhyrja në këtë moment cënon pavarësinë e prokurorisë.
Ky gjykim duhet të vendosë balancat mes pushteteve, kjo çështje është thelbësore dhe duhet të shërbejë për vendosjen e balancave mes pushteteve, duke përcaktuar qartë kufijtë mes ekzekutivit dhe institucioneve të tjera kushtetuese.



