Ekzekutimi ose jo i një vendimi të Gjykatës së Apelit të Vlorës përkitazi me një pronë 1.6 hektarë tokë në bregdetin e Jalës, duket të jetë “mollë sherri” për drejtuesit e Kadastrës së Vlorës, të cilët për nëntë muaj, kanë ndërruar gjashtë drejtues. Për gazetarin ekonomik Klodian Tomorri, në TvT, kjo është e gjitha një konflikt mes dy familjeve pretenduese të pronësisë së tokës dhe investitorit, i pari me një vendim të drejtësisë së Gjykatës së Apelit për të drejtën e pronësisë, dhe i dyti investitori me përkrahjen e shtetit si investitor strategjik nga qeveria shqiptare.
“Shkaku i vërtetë që po ndodh ai fenomen në Kadastrën e Vlorës, është një konflikt për një pronë 1.6 hektar tokë në bregdetin e Jalës, pronë ku është ndërtuar resorti i famshëm “Folie Marine”, dhe pas këtij një fshat turistik që po ndërtohet po aty. Kjo pronë ka një konflikt mes dy grupeve, nga një anë është familja Gjoka, e cila pretendon pronësinë, dhe nga ana tjetër është z. Gjillari, investitori i cili ka ndërtuar Folie Marinë, i cili mendohet se qëndron edhe pas fshatit turistik, që ka përfituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare dhe përifitmi i këtij statusi nënkupton për investitorët që kanë lehtësira veçanërisht për pronat, mund të marrin pronat në vende turistike, në resort, në bregdet etj., dhe kur ka konflikte të tilla, del shteti si garant dhe i merr përsipër shteti detyrimet, pra kjo është ajo që është duke ndodhur në Kadastrën e Vlorës dhe ky është konflkti për të cilat drejtorët ne kadastrën e Vlorës po fluturojnë çdo ditë”.
I gjithë “faji” i drejtorëve të rinj, në këtë institucion, për gazetarin Tomorri, është fakti se ata nuk mund të bëjnë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit në favor të familjes pretenduese të pronës, dhe për pasojë largohen nga ai post.
“Ka dy vendime gjykate, e para është e Apelit të Vlorës, e cila i jep të drejtë familjes Gjoka, të drejtën e pronësisë mbi tokën dhe më pas kadastra mbi bazën e këtij vendimi ka bërë edhe regjistrimin e pronësisë, po vendimi i Gjykatës së Apelit të Vlorës, është ankimuar nga qeveria dhe Avokatura e Shtetit, pra i është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, dhe ajo e ka pezulluar vendimin e Gjykatës së Apelit, tani ajo që ndodh është që drejtorët që shkojnë në krye nuk regjistrojnë dot vendimin e gjykatës së Lartë, pra nuk ekzekutojnë vendimin e Gjykatës dhe largohen nga aty”.
Lidhur me faktin se Ministri i rindërtimit, Arben Ahmetaj, ka folur për një plan të ringritjes ekonomike që do të prezantohet së shpejti, gazetari Tomorri, e sheh këtë më shumë si një deklaratë me karakter politik, sesa si një mundësi për investime masive publike për të nxitur ekonominë. Sipas tij, me hapsirën e ngushtë fiskale, qeveria nuk ka hapsira për të bërë investime nga shkaku i rritjes së borxhit publik në vend.



